E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, zetori bie në greminë, humbin jetën babai dhe i biri 19-vjeçar



Viktimat dhe vajza e tyre 21-vjeçare, që ngeli e plagosur, ishin duke shkuar në shtëpinë e nuses për të dorëzuar “nishanet” përpara dasmës

Irgis Hysenaj

Së bashku më dy fëmijët e tij ishte duke shkuar për në shtëpinë e vajzës me të cilën njëri prej djemve kishte zgjedhur për t’u martuar. Por udhëtimi ishte fatal për 50-vjeçarin Sadri Demaj dhe djalin e tij 19-vjeçar. Zetori me të cilin ata po udhëtonin, ka rrëshqitur si pasojë e borës që kishte rënë në rrugë në një greminë, duke u marrë jetën atyre dhe duke plagosur vajzën 21-vjeçare që ndodhej me ta. Sipas burimeve nga policia, nga aksidenti ka humbur jetën edhe Qemal Demaj, ndërsa pësoi dëmtime serioze Lulie Demaj. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në aksin rrugor Kukës - Shishtavec. Sipas burimeve nga policia, aksidenti i rëndë ndodhi për shkak të rrëshqitjes së traktorit, me të cilin po udhëtonin tre pjesëtarët e familjes Demaj.

Por dyshohet se ai mund të ketë ardhur edhe si pasojë e pakujdesisë së drejtuesit të mjetit. Gjendja në aksin rrugor Kukës - Shishtavec ka qenë e vështirë për të lëvizur, kjo, për shkak të dëborës së rënë dhe temperaturave të ulëta

Aksidenti

Rreth mesditës së djeshme, Sadri Demaj dhe dy pjesëtarët e familjes së tij, djali Qemali dhe vajza Lulie po udhëtonin për në fshatin Shtrezë. Ata do të dorëzonin rrobat e nuses, në shtëpinë e vajzës, që djali i tij më i madh kishte zgjedhur për t’u martuar. 50-vjeçari ka marrë traktorin e tij dhe është nisur. Por udhëtimi i tyre i gëzueshëm është kthyer në një tragjedi. Kjo, si pasojë e dëborës së madhe dhe ngricave që kishin zënë rrugën dhe vështirësuar terrenin. Ndërsa zetori ishte pranë fshatit Shtrezë, në aksin rrugor Kukës - Shishtavec, ai ka dalë nga rruga, duke rënë poshtë në greminë. Si pasojë e këtij aksidenti të rëndë, humbën jetën 50-vjeçari Sadri Demaj dhe djali i tij 19-vjeçar. Banorët e zonës menjëherë janë përpjekur t’u japin ndihmën e parë të dëmtuarve. 21-vjeçarja është gjetur me shenja jete. Ajo është dërguar menjëherë në spitalin e Kukësit, për të marrë ndihmën e parë mjekësore.

Me gjithë dëmtimet serioze të marra, e reja është jashtë rrezikut për jetën.

Viktimat banonin në fshatin Bardhoc të rrethit të Kukësit, afër fshatit Shtrezë, ku edhe ndodhi aksidenti.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›