Bllokohet kantina, ishte e palicencuar për prodhim vere
VLORË - Policia e Vlorës ka bllokuar një kantinë të paligjshme të prodhimit të verës, ndërsa pronari i saj do të hetohet në gjendje të lirë. Burime zyrtare të policisë lokale thanë të premten se “kantina e paligjshme e verës, në fshatin Nartë, pronë e shtetasit Aristidh Xhixho, 57 vjeç, u bllokua gjatë një aksioni të ndërmarrë nga policia lokale në orët e vona të së premtes”. Të njëjtat burime thanë se gjatë këtij aksioni u sekuestruan 4.1 ton verë e kuqe dhe 388 bidonë të përmasave të ndryshme, nga 1.5 litra - 10 kv. Mësohet se pronari i kësaj kantine do të hetohet në gjendje të lirë, për veprën penale “prodhim i kundërligjshëm i pijeve alkoolike”. Pak ditë më parë, në të njëjtin fshat, policia e Vlorës bllokoi një kantinë vere të paligjshme. Gjatë atij aksioni, policia sekuestroi 2 ton verë, ndërsa pronari i saj është duke u hetuar në gjendje të lirë.
Kapet pas një viti, kërkohej për pengmarrje
VLORË – Kërkohej prej një viti dhe vetëm dy ditë më parë një 37-vjeçar është prangosur pasi akuzohet për pengmarrjen e një bashkëfshatari të tij, pas një grindjeje për motive pronësie. Burime zyrtare të policisë lokale thanë të premten se “Zijadet Danaj u ndalua gjatë një aksioni të uniformave blu, në banesën e tij, në fshatin Resulaj të Bashkisë së Selenicës, 33 km larg Vlorës”. Sipas policisë, në muajin qershor të vitit 2007, Gjykata e Apelit vendosi ndaj Danajt masën e sigurisë “arrest në burg pa afat”, me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë së tjetrit. Një vit më parë, Danaj mori peng për rreth 4 orë, bashkëfshatarin e tij A.H, 31 vjeç, me të cilin u grind për motive pronësie.
Gjendet pas 16 ditësh, deti e zhvendosi kufomën 10 km
DURRËS - Trupi i peshkatarit durrsak, Besim Nallbani, i cili u mbyt dy javë më parë, ka dalë në bregdetin e Kallmit, 6 km në veriperëndim të Durrësit. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së qarkut thanë se “me gjithë kërkimet në det të hapur për disa ditë më radhë, në të cilat u përfshinë dhe mjetet lundruese të Flotiljes detare të veriut dhe ato të policisë kufitare bregdetare, trupi i 45-vjeçarit Nallbani doli në breg vetëm dje, kur u gjet rastësisht nga disa kalimtarë". Viktima, banor i Lagjes nr. 15 të qytetit bregdetar, ishte peshkatar amator dhe në datën 23 janar kishte dalë me një gomone të vogël me rrema për të peshkuar në bregdetin shkëmbor të Kallmit. Sipas policisë, 45-vjeçari kishte dalë në det të hapur në kushtet e detit të trazuar.
9 Shkurt 2008