E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet numri i vjedhjeve dhe grabitjeve, 6 raste për pak orë në disa rrethe

Kohët e fundit janë shtuar ndjeshëm vjedhjet dhe grabitjet në të gjithë vendin. Thuajse çdo orë raportohen të tilla raste në sallën operative qendrore në Ministrinë e Brendshme. Dy vjedhje të ndodhura me një diferencë prej katër orësh u regjistruan të premten në rrethin e Elbasanit, ndërkohë që autorët e këtyre ngjarjeve ende nuk janë identifikuar nga policia. “Vjedhja e parë u konstatua rreth orës 02:00 të ditës së djeshme, në lokalin e shtetasit Bashkim Sota, lindur dhe banues në fshatin Muqan të rrethit të Elbasanit”. Të njëjtat burime shtuan se në lokalin e tij mendohet të jenë grabitur 25000 lekë, një ‘Sat Plus’ dhe një sasi pijesh alkoolike. Katër orë pas kësaj një grabitje tjetër u regjistrua në punishten e duraluminit në fshatin Mjekës, me pronar shtetasin Ardian Preçi. Ky i fundit ka denoncuar në polici grabitjen e 1 milion lekëve, që i mbante në një kasafortë, si dhe disa materialeve që ndodheshin në punishte. Ndërsa dy grabitje të tjera ndodhën në Shkodër dhe Fier. Teksa po transportonte pica, të premten në mbrëmje, rreth orës 20:55 në lagjen “Perash” është grabitur forcërisht shtetasi M. K. Sipas burimeve policore, atij i janë marrë një orë me bateri, një byzylyk floriri dhe një unazë. Ndërsa një tjetër grabitje me maska ka ndodhur në fshatin Xhupan, në afërsi të Azotikut, në rrethin e Fierit. Një person i maskuar ka hyrë në një magazinë ku mblidhej hekur, e cila ishte në pronësi të qytetarit Gëzim Hoxha. Në mjediset e brendshme të magazinës ndodheshin 2 vajzat e tij, ku njëra është goditur me kaçavidë në kokë duke mbetur pa ndjenja. Personi i maskuar ka shqyer derën e kasafortës dhe ka marrë 500 mijë lekë. Vajza, e cila është edhe dëshmitarja e ngjarjes, është shprehur se autori mbante një maskë në kokë nga e cila i dukeshin vetëm sytë. Policia ka shoqëruar 2 persona të dyshuar për këtë ngjarje, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të grabitjes.

9 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›