E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e foshnjës, familja Bushati nis me postë kallëzimin për Policinë e Kurbinit

Dje në mesditë, avokati i familjes Bushati ka dërguar përmes postës kallëzimin, ku bëhen tri akuza për Komisariatin e Kurbinit në lidhje me vdekjen e foshnjës dymuajshe e gjysmë
Aleksandër Noka

LAÇ – Menjëherë sapo kanë përfunduar të gjitha ceremonitë mortore të foshnjës dymuajshe, çiftit Bushati nga Fushë Mamurras, i rrethit të Kurbinit, ka zyrtarizuar denoncimin e tyre ndaj policisë në organin e akuzës. Dje pas mesdite, avokati i Besnik dhe Davite Bushatit, nën shoqërinë e kryeplakut të fshatit Fushë – Mamurras, Bashkim Lika, kanë postuar që nga dega e postës për në Prokurorinë e Kurbinit denoncimin ndaj Komisariatit të Policisë së Laçit. Sipas avokatit Paja, denoncimi është dërguar me postë, pasi familja e viktimës, gjatë ditës së premte po merrej me pritjen dhe përcjelljen e njerëzve të shumtë që po ngushëllonin familjen në ditën e tretë të ndarjes nga jeta të vajzës. Avokati pohon se Besnik Bushati kishte shkuar me 10 minuta vonesë në mjediset e Prokurorisë së Kurbinit, gjë që e ka detyruar më pas atë të bëjë denoncimin me shkresë zyrtare. Familja Bushati nuk ka pritur më deri ditën e hënë, pasi e shtuna dhe e diela janë pushim për institucionin e akuzës, por e ka nisur shkresën përmes postës.
Kallëzimi niset me postë
“Akuza për policinë e Kurbinit është formuluar në bazë të dëshmisë së dhënë nga Besnik dhe Davite Bushati”, - u shpreh dje avokati Ali Paja. Sipas tij, janë ngritur tri akuza ndaj këtij institucioni: E para është akuza për shkelje të parimeve humanitare; akuza e dytë për shpërdorim të detyrës dhe veprime arbitrare; dhe akuza e tretë për shkelje të konventave ndërkombëtare për të drejta e njeriut. Vetë avokati Paja ka deklaruar se gjatë ditës së djeshme policia ka terrorizuar bashkëshortët Bushati dhe ka shpërdoruar detyrën me veprimet e saj arbitrare ndaj burrit dhe gruas. Tashmë pritet që ditën e hënë prokuroria të marrë nën administrim kallëzimin e bërë nga familja Bushati dhe më pas të nisin hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në vdekjen e foshnjës.
Heshtja e policisë së Kurbinit
Asnjë prej drejtuesve të Komisariatit të Kurbinit nuk ka pranuar të dalë publikisht për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes. Burimet në këtë komisariat bëjnë të ditur se dje ka mbërritur një kërkesë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë për te Policia e Kurbinit, ku të jepet një informacion i plotë në lidhje me këtë ngjarje. Sipas të dhënave zyrtare, relacioni i plotë është dërguar drejt Tiranës. Dy ditë më parë shefi i Krimeve, Martin Dona, përgënjeshtroi zërat se çifti Bushati ishte mbajtur gjatë. Sipas tij, Besnik dhe Davite Bushati kanë qëndruar vetëm 30 minuta. Ai ka thënë se gruaja ka shoqëruar bashkëshortin, pasi ai nuk dinte shkrim dhe këndim.
Katër ditë më parë, Klodiana, e ardhur në jetë para gati 3 muajsh, fëmija i katërt i familjes Bushati gjeti vdekjen, e cila, sipas mjekëve, ka pasur si shkas mungesën e ushqimit. Foshnja nuk është ushqyer që në orën 7 të mëngjesit të ditës së martë, pasi e ëma dhe i ati janë marrë nga policia në cilësinë e dëshmitarëve në lidhje me vjedhjen e një lope në fshatin Fushë Mamurras. Kur ata janë kthyer në banesën e tyre, rreth orës 17:00 të asaj dite, Klodiana e vogël është sëmurë rëndë dhe pas disa orësh ka gjetur vdekjen ditën e mërkurë. Fillimisht, çifti Bushati denoncoi në media policinë e Kurbinit, duke e cilësuar fajtore për vdekjen e foshnjës së tyre. Më pas, ata e kanë zyrtarizuar këtë akuzë, duke e çuar në prokurori. Tashmë drejtuesit e Policisë së Kurbinit përballen me një akuzë të fortë, e cila rrezikon t’i vërë ata përballë “ndëshkimesh” të rrepta në lidhje me shoqërimin e çiftit, i cili më pas solli pasojat fatale. Ky është një ndër rastet e shumta, të bëra publike, ku falë dhunës policore, apo edhe mungesës së zbatimit të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës, ka pasur edhe viktima.

9 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›