Pretenca, Apeli kërkon lënien në fuqi të dënimit për kryebashkiakun
GJIROKASTËR – Edhe organi i akuzës në Gjykatën e Apelit ka kërkuar lënien në fuqi të dënimit për ish-kryetarin e Bashkisë së Sarandës, Ardian Shehu dhe vartësin e tij Haxhi Musai. Gjatë dhënies së pretencës, prokurori i çështjes i kërkoi Gjykatës së Apelit që të mos ndryshohej vendimi i dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Sarandës, ku Shehu të vuajë dënimin me 18 muaj. Drejtuesi i trupit gjykues në Gjykatën e Apelit në Gjirokastër caktoi datën 21 shkurt për të dhënë vendimin për ish-kryebashkiakun e Sarandës. Katër muaj më parë, Gjykata e rrethit të Sarandës dënoi me 18 muaj burg ish-kryebashkiakun e Sarandës në periudhën 2000-2003. Gjykata e Sarandës dënoi me 36 muaj burg dhe ish-vartësin e Shehut, Haxhi Musai, që drejtonte atëherë zyrën e urbanistikës në bashki. Të dy ish-drejtuesit u gjetën fajtorë nga Gjykata e rrethit të Sarandës për shkeljen e ligjit të urbanistikës si dhe në shkeljen e procedurave për 12 leje ndërtimi në qytetin e Sarandës.
9 Shkurt 2008