Kamerat zbulojnë drogën në atlete, dy në pranga
BURREL - Kanë tentuar të fusin drogë në Burgun e sigurisë së lartë në Burrel, por janë zbuluar në momentin që po i dorëzonin pakon të dënuarit. Ridvan Zaja dhe Sabri Kraja, nga qyteti i Shkodrës janë arrestuar nën akuzën e posedimit të lëndëve narkotike. Sipas burimeve të informacionit pranë burgut të Burrelit, kanë qenë kamerat që kanë ndihmuar policinë në zbulimin e lëndës narkotike, në momentit që poseduesit janë përpjekur për t’ia dhënë të arrestuarit substancën narkotike. Sipas të njëjtave burime, policia e burgut i ka kontrolluar më parë se të hynin në dhomën e takimi të burgut Ridvan Zajën dhe Sabri Krajën, por kontrolli duket se nuk ka qenë aq i hollësishëm. Më në fund Ridvan Zaja dhe Sabri Kraja janë zbuluar teksa po dorëzonin një palë atlete, ku Brenda njërës prej tyre ishin fshehur 30 gramë drogë e llojit marijuanë. Dy të ndaluarit po e çonin drogën për tek kunati i tyre, Kujtim Barbullushi, i dënuar për vrasje. Sipas të njëjtave burime dy të arrestuarit, do të hetohen për “mbajtje të lëndëve narkotike dhe tregtim të tyre” .
9 Shkurt 2008