Grabitja e bankës, policia 30 mijë euro informatorit
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Policia e Vlorës vë në dispozicion të informatorit që do të bëjë të mundur identifikimin e grabitësve së Bankës Intesa Sanpaolo, 30 mijë euro. Dy ditë pas ngjarjes që ndodhi në mes të ditës në zonën e Skelës, ende nuk ka emra konkretë, si të dyshuar për autorësinë e grabitjes. Policia, por as banka nuk e kanë bërë të ditur as dje shumën e grabitur. Por duke u nisur edhe nga sasia e eurove të vëna në dispozicion të informatorit, lë të kuptohet se shuma e grabitur ka qenë tejet e konsiderueshme. Për hetimin e kësaj çështjeje do të asistojnë edhe oficerë të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilët mbërritën dje në Vlorë.
“Nisur nga rrethanat dhe koha që ka ndodhur, ne si drejtori policie kërkojmë ndihmën e komunitetit, për çdo informacion që do të jetë i dobishëm, në shkëmbim të ruajtjes së plotë të anonimatit”, u shpreh zëdhënësi i Policisë së Vlorës, Saimir Koçiaj, dje në një dalje publike. Ai kërkoi ndihmën e medias për publikimin e numrave të telefonit, 0694107443 dhe 0694107441, në të cilët mund të japin çdo informacion me vlerë të gjithë ata që duan të bashkëpunojnë me organet e hetimit. Dje u shoqëruan në komisariatin e Vlorës mbi 30 vetë, të dyshuar që mund të kenë dijeni apo lidhje me personat që kryen grabitjen e bankës. Sipas policisë, mjeti “Rexhina” me xhama të zinj, me të cilin është kryer grabitja është identifikuar. Të njëjtat burime saktësuan se makina rezultoi të ishte shitur dhe blerë disa herë, në Vlorë dhe jashtë saj. Dyshohet se personat që e kanë blerë për herë të fundit mund t’i kenë kryer veprimet me dokumente të falsifikuara. Targa e mjetit që u gjet i djegur rreth 30 minuta pas ngjarjes në lagjen “10 Korriku” rezultoi t’i ishte vjedhur një tjetër makine. Deri më tani, nga marrja në pyetje e personave të shoqëruar nuk është arritur të sigurohet asnjë e dhënë, e cila do të mund të ndihmonte grupin e hetimit në ndonjë pistë konkrete. Autoritetet e bankës si dhe policia nuk kanë nxjerrë një shifër të përafërt të lekëve të grabitura. Banka filloi dje punën normalisht. Sipas policisë, shuma prej 30 mijë eurosh mendohet të realizojë zbulimin e autorëve të grabitjes. “Informatori do të mbahet tepër sekret”, u shprehën burimet. Në vjedhjen e bankës dyshohet se kanë marrë pjesë deri në katër persona, dy prej të cilëve u futën për të realizuar grabitjen, ndërsa dy të tjerë i pritën në mjet gati për të ndërhyrë për çdo të papritur. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 të së hënës, kur në bankë u futën dy persona të maskuar dhe të armatosur. Pasi kërcënuan punonjësit, ata morën të gjitha paratë që ndodheshin në bankë dhe më pas u larguan me mjetin që i priste përpara godinës. Policia nuk bëri të ditur detaje të tjera të hetimit, që kanë të bëjnë me pamjet vizive të kamerave të sigurisë.
Shuma e vjedhur, sekret
Banka e cila u grabit dje, por edhe policia e Vlorës, kanë mbajtur sekret shumën që dy personat arritën të marrin nën kërcënimin e armëve automatike. Sipas burimeve, personat që ende nuk janë identifikuar kanë arritur të marrin të gjitha paratë që kanë pasur punonjësit nëpër duar, por edhe ato të arkës që është gjendur afër.