Bllokohet kthimi i anijes "Kater i Radës", shkak kostoja e lartë

Drejtësia italiane vendosi të mos e shkatërrojë anijen "Kater i Radës", i cili shkaktoi vdekjen e 108 shqiptarëve në vitin 1997 në kanalin e Otrantos.
Sipas mediave italiane, disa ditë pas mbylljes së çështjes, Gjykata e Apelit në Leçe ka vendosur të anullojë vendimin për kthimin e anijes në Shqipëri, pasi kostoja e lartë e operacionit ka bllokuar transferimin.
Fillimisht, drejtësia italiane urdhëroi copëtimin e asaj çfarë ka mbetur nga "Kater i Radës", duke ia deleguar këtë detyrë, marinës ushtarake të Brindizit. Po sipas mediave vendase, deputetja demokrate Teresa Bellanova, i kërkoi qeverisë italiane të kthente anijen në Shqipëri në shenjë respekti për të gjitha viktimat e Otrantos dhe familjarët e tyre. Prej kohësh këta të fundit kanë kërkuar që relikja e anijes e cila ruhet ende në Brindizi të kthehet në Shqipëri për tu bërë një monument muze. Ndërkohë sipas gazetës italiane "La Republica", Gjykata e Apelit të Leces dënoi me 2 vjet dhe 4 muaj burg kapitenin e anijes italiane "Sibilla" , Fabrizio Laudadio dhe 3 vjet e 10 muaj burg për kapitetin shqiptar Namik Xhaferi, të cilët akuzohen si shkaktarët e tragjedisë të Otrantos ku humbën jetën 108 shqiptarë.
Sipas kësaj gazete, vendimi erdhi ndërsa shume prej familjareve prisnin me ankth prej vitesh fjalën e drejtësisë, përsa i përket tragjedisë së Otrantos të ndodhur në 28 mars të vitit 1997 ku humbën jetën 108 shqiptarë. 16 nga të mbijetuarit e kësaj tragjedie i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut. Por "Kater i Radës", ishte e vetmja provë materiale që mund jetë në favor të tyre në këtë proces.