Bllokohet kufiri me Kosovën, 2 km radhët
KUKES - Kufiri që lidh Shqipërinë me Kosovën dje është bllokuar për tre orë. Nga ora 08:00-11:00, qarkullimi i mjeteve dhe udhëtarëve nëpërmjet pikëkalimit kufitar dhe doganor të Morinit, ka qenë thuajse i bllokuar. Kjo situatë u krijua për shkak se në doganën e Vërmicës në Kosovë funksiononte vetëm një sportel. Kjo bëri që kalimet të bëheshin shumë ngadalë, duke krijuar radhë. Burime pranë pikës doganore bënë të ditur se radhët arritën deri në 2 kilometra. Shërbimi i policisë kufitare të Morinit, ngriti shqetësimin në shërbimin policor të Kosovës në doganën e Vërmicës dhe pas tre orësh janë marrë masat e duhura. Rreth orës 11:00 në punë janë rivënë edhe katër sportele të tjera. Në 24 orë mesatarisht në Kosovë hyjnë e dalin rreth 1 mijë persona me rreth 200 automjete. j.h