E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rrok Pjetri vrau gruan e veten”

 

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

File Pjetri është vrarë nga bashkëshorti i saj, Rrok Pjetri, e më pas, ky i fundit është vetëvrarë.Ky është versioni zyrtar i Prokurorisë së Lezhës për tragjedinë e ndodhur mbrëmjen e së hënës në fshatin Dajç.
Ekspertiza e kryer në Laboratorin e Kriminalistikës dhe Mjekësinë Ligjore hedh poshtë pretendimet e të afërmve të viktimës 75-vjeçare se ajo mund të ishte vrarë nga policia. Në bazë të ekspertizës, rezultoi se plumbat me të cilat janë vrarë bashkëshortët File dhe Rrok Pjetri, janë të të njëjtave armë që viktima mbante në banesën e tij. Burime nga Prokuroria, të cilët dje konfirmuan këtë rezultat, bënë të ditur se në banesën e Pjetrit janë gjetur 4 gëzhoja, tre prej të cilave të kalibrit 7. 62 mm të një automatiku dhe një tjetër të një gëzhoje pistolete. Të dyja armët i mbante viktima 80-vjeçar, prej të cilit mësohet se kishte frikë gjithë zona. Sipas Prokurorisë, 3 gëzhojat e automatikut janë gjetur në katin e parë të ndërtesës, ku i moshuari qëndronte fillimisht, ndërsa gëzhoja e pistoletës është gjetur pranë trupit pa jetë të Rrok Pjetrit në katin e dytë të shtëpisë së tij. “Jashtë banesës nuk është gjetur asnjë gëzhojë apo shenjë plumbi që të ketë ardhur nga policia apo specialët”, bënë të ditur burimet në Prokurorinë e Lezhës. Të dhëna të tjera që janë shënuar në dosjen përkatëse të ekspertizës kanë të bëjnë edhe me plagën që ka marrë 75-vjeçarja. “Vrima e plumbit që ka dalë nga dera e shtëpisë dhe ka qëlluar File Pjetrin është në të njëjtën lartësi të trupit të saj me vrimën e derës nga ka dalë. Ndërsa perimetri i plagës së saj është më i ngushtë pas shpine se para”, pohoi policia, por edhe Mjekësia Ligjore. Kjo përputhet edhe me dëshmitë që kanë dhënë forcat speciale. Ngjarja ndodhi të hënën e kaluar në fshatin Dajç të Lezhës. Policia, RENEA dhe forcat e FNSH-së rrethuan banesën e Rrok Pjetrit, pasi kishin informacion që ai gjendej në shtëpi. Thirrjeve për t’u dorëzuar, i moshuari u është përgjigjur fillimisht duke shuar dritat. Por bashkëshortja e tij Filja, tentoi të futej në dhomën ku gjendej i shoqi që ta bindte të vetëdorëzohej. Në këtë moment, 80-vjeçari qëlloi me armë të shoqen, duke e lënë të vdekur në vend. Pas disa orësh ai vrau dhe veten.

“Përbindëshi i Dajçit”, i shpëtoi dhe kolektivizimit

Banorë të fshatit Dajç pohojnë se Rrok Pjetri njihej si një “përbindësh” në zonë dhe të gjithë e kishin frikë. Askush nuk guxonte t’i afrohej e aq më tepër të debatonte me të. Ai ishte akuzuar për vrasjen e tre personave, seriali i të cilave kishte nisur që në kohën e monizmit. Në vitin 1965, Rrok Pjetri kundërshtonte ashpër kolektivizimin e pronave e bagëtive. Për këtë arsye ai debatoi me kryetarin e këshillit të fshatit Dajç të asaj kohe, Llesh Dhelprën. Ndërsa viktima i nxori një dokument që ta firmoste për të pranuar të futej në kooperativën bujqësore, Pjetri ia gris atë dhe më pas e rreh për vdekje me karrige. Pasi arrestohet dhe dënohet për këtë krim, ai përfshihet në një tjetër konflikt në burg. Tre të burgosur nga Shkodra e rrahin. Por ai hakmerret kur del nga burgu, duke vrarë 35-vjeçarin Gac Mali, nga fshati Dheu i Lehtë i Shkodrës. Pjetri dënohet sërish për këtë krim, i cili fatkeqësisht nuk qe i fundit. Në vitin 2007 ai ekzekutoi Lazër Nikollin në fshatin e tij për motive pronësie. Që prej kësaj kohe, askush nuk guxonte më t’i afrohej shtëpisë së tij, e aq më tepër të konfrontohej me 80-vjeçarin.                   r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›