Plagoset me çifte 27-vjeçari
FIER - Një 27-vjeçar ka mbetur i plagosur, pasi e kanë qëlluar me armë gjahu, ndërkohë që vazhdojnë të mbeten ende mister motivet e një akti të tillë. Sipas burimeve të policisë, ngjarja ka ndodhur në fshatin Pojan të rrethit të Fierit, rreth orës 11:00 të ditës së djeshme. Florenc Sheqi është personi i plagosur nga saçmat e çiftes, duke përfunduar në spital në gjendje kritike. Plumbat e kanë kapur nga mesi e poshtë, duke e lënë të bllokuar të riun, i cili u transportua për në spital nga kalimtarë të rastit. Ata e kanë menduar të vdekur, pasi Sheqi ishte pa ndjenja, por kanë pikasur se pulsi i rrihte. Për shkak të plagëve të marra, i riu është transportuar drejt spitalit ushtarak. Policia ka shkuar në vendngjarje, zbuluar dhe emrin e atentatorit, i cili është në kërkim. Nga dëshmitë e marra është mësuar se Sheqi ishte konfliktuar me autorin, derisa ai e ka qëlluar me armë gjahu. m.r