E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet lokali i lojërave të fatit, ishte i palicencuar



VLORË - Policia e Vlorës bllokoi dje një lokal lojërash fati, që ushtronte aktivitetin pa licencën e organeve tatimore. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se lokali i ndodhur në lagjen “Pavarësia”, në pronësi të shtetasit, L. Sejdiraj, u bllokua gjatë një aksioni të strukturave të Krimit Ekonomik Financiar. Sipas tyre, gjatë verifikimit të aktivitetit, rezultoi se lokali ishte i palicencuar. Në këto kushte u vendos masa e bllokimit, ndërkohë që u sekuestruan pesë kompjuterë dhe pajisje të tjera. Ndaj pronarit të lokalit, 38-vjeçarit Sejdiraj, nisi çështja penale, në gjendje të lirë për organizim të lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme. Disa javë më parë, strukturat e Krimit Ekonomik morën një operacion në shkallë vendi, ku u bllokuan me dhjetëra qendra të lojërave të fatit në të gjithë vendin.

Arrestohet 36-vjeçari, iu gjetën 3 cigare hashash në shtëpi

ELBASAN – Një 36-vjeçar ka përfunduar në pranga, pasi forcat e policisë i kanë gjetur disa cigare me hashash në banesën e tij. Seksioni i Luftës kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Elbasanit ka arrestuar në flagrancë shtetasin Leonard Çaushi, me banim në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”. Burime të policisë bëjnë të ditur se gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e tij në paketën e cigareve iu gjetën tre cigare me Cannabis sattiva, me peshë 2.30 gramë”. Ndaj 36-vjeçarit është ngritur akuza e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Plagosen tre shtetas në aksident, u përplasën dy makina

PEQIN – Një aksident automobilistik ka ndodhur mëngjesin e së enjtes në aksin rrugor “Elbasan-Peqin”, i cili ka përfunduar me plagosjen e tre shtetasve. Burime të policisë bëjnë të ditur se mjeti tip “Benz”, me targë MT 181217, me drejtues shtetasin Sokol Shqipe, 25 vjeç, është përplasur me automjetin tip “Land Rover”, me targë ZA 408 RD, me drejtues shtetasin L. K., 32 vjeç, me banim në fshatin Bishqem të rrethit të Peqinit. Mësohet se si pasojë e kësaj përplasje janë plagosur dy drejtuesit e mjeteve, si edhe shtetasi K. K., 24 vjeç, me banim në Bishqem, i cili ishte pasagjer në automjetin “Land Rover”. Të tre këta shtetas ndodhen të shtruar në spitalin kirurgjik të Elbasanit nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor, pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, ka konstatuar se shkak i aksidentit është shpejtësia tej normave të lejuara nga ana e drejtuesit të mjetit tip “Benz” veturë.

16 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›