E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata dënon me burg dhe gjobë të arrestuarit për patentat



Tiranë - Gjykata e Tiranës i cilësoi dje fajtorë të arrestuarit gjatë operacionit “Patenta”. Trupi gjykues ka dhënë për të arrestuarit burg, gjobë dhe i ka kushtëzuar ata për vitet që nuk duhet të jenë një funksion shtetëror apo hapjen e një aktivitete privat. Operacioni u zhvillua muaj më parë nga Antikrimi ekonomiko-financiar në bashkëpunim me Njësinë Operacionale. Emiljano Kau, 31 vjeç, banues ne Shijak; Sokol Breca, 43 vjeç, banues në Tiranë, të dy me detyrë anëtarë të komisionit të marrjes në prova për leje-drejtimi pranë Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë; Jonus Meshi, 58 vjeç dhe Qazim Hoxha, 57 vjeç, instruktorë teorie dhe praktike pranë autoshkollës “Univers vip”; si dhe Kadri Dajçi, 52 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie, janë të arrestuarit që u dënuan dje. Të pandehurit ishin vënë prej kohësh në vëzhgim nga zyra e Antikrimi ekonomiko-financiar, pasi ndaj tyre kishin mbërritur informacione se kryenin korrupsion në dhënien e patentave. Ata dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ua plotësonin vetë testin për pajisjen me dëshmi për drejtim automjeti kursantëve, kundrejt shumës së parave prej 65 000 lekësh të rinj. Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar, të arrestuarve iu gjetën dhe iu sekuestruan 7 milionë lekë shqiptare, 300 euro, 300 dollarë amerikanë si dhe një sërë dokumentesh të falsifikuara që shërbenin për plotësimin e dokumentacionit të kursantëve.

Dënimet

Emiljano Kau, 2 vjet burg, 700 mijë lekë gjobë
Heqje e së drejtës për në funksione shtetërore 1 vit e gjysmë

Sokol Breca, 3 vjet burg, 1.2 milionë lekë gjobë
Heqje të së drejtës për 1 vit e gjysmë të ushtrimit të aktivitetit privat

Qazim Hoxha, 3 vjet burg, 1.2 milionë lekë gjobë
Heqje të së drejtës për 1 vit e gjysmë të ushtrimit të aktivitetit privat

Jonuz Meshi, 3 vjet burg, 1.2 milionë lekë gjobë
Heqje të së drejtës për 1 vit e gjysmë të ushtrimit të aktivitetit privat

Kadri Dajçi, 1 vit burg e 700 mijë lekë gjobë
Heqje të së drejtës për 1 vit e gjysmë të ushtrimit të aktivitetit privat

16 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›