FMN: “Në Shqipëri po vijnë impaktet e krizës globale”
Përfaqësuesja e përhershme e FMN-së në Shqipëri, Ann-Margret Westin, ka paralajmëruar se në Shqipëri po ndihet impakti i krizës globale. Westin e këshillon qeverinë të ndjekë një politikë fiskale më të shtrënguar se ajo e vitit 2008, si dhe të mbajë politika të shëndosha makroekonomike. Ajo e shpjegon këtë me ngadalësimin e kërkesës për eksporte, të dërgesave të emigrantëve, ngadalësimin e investimeve si dhe në uljen e sasisë së kreditimit. "Duke parë krizën aktuale globale, është më e rëndësishme se kurrë që qeveria të ndjekë politika të shëndosha makroekonomike. Mesazhi që po përpiqemi të japim në këtë pikë është që të jeni sa më të kujdesshëm. Një politikë fiskale më e shtrënguar në vitin 2009 në krahasim me 2008-n, do të jetë një pjesë kryesore e këtyre politikave të matura. Në sektorin financiar, Banka e Shqipërisë do të duhet të vazhdojë punën e saj shumë të mirë në mbikëqyrjen bankare dhe me një monitorimin frekuento”, - tha në një intervistë për ATSH-në, përfaqësuesja e FMN-së, Ann-Margret Westin. Ajo thotë se, "deficiti i llogarisë korrente është përkeqësuar dhe kjo kryesisht reflekton faktorë të përkohshëm si çmime më të larta për ushqimet dhe karburantet në pjesën e parë të vitit dhe importet e mallrave kapitale për projektin e madh të rrugës. Në fushën fiskale rritja e fortë e të ardhurave dhe zbatimi i ngadaltë i shpenzimeve për investime e ka mbajtur buxhetin në suficit për pjesën më të madhe të vitit”. Duke marrë në konsideratë kushtet më të vështira të financimit këtë vit, Westin thotë se, “është rënë dakord me qeverinë për të reduktuar deficitin e buxhetit nën 4 për qind, për të shmangur ngushtimin e aksesit në kredi për investimet e sektorit privat. (Në ligjin e miratuar të buxhetit thuhet se deficiti i buxhetit do të jetë 4.2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, por duke ditur vonesat e njohura në investime, ne presim që në fund të vitit, deficiti të jetë rreth 3.9 për qind e PBB-së)".
16 Janar 2009