Wall Street Journal: “Shqipëria, vendi i dytë në rajon për lirinë ekonomike”
Ervin Koçi
Shqipëria renditet si vendi i dytë i rajonit përsa i takon lirisë ekonomike. Raporti i fondacionit ekonomik “Heritage” dhe i gazetës prestigjioze ekonomike “Wall Street Journal” për indeksin e Lirisë Ekonomike, e ka vendosur Shqipërinë më lart se një vit më parë dhe krahasuar me rajonin vetëm Bullgaria renditet një shkallë më sipër se vendi ynë. Sipas raportit, në treguesit e vitit 2009, vendi ynë listohet në vendin e 62-të mes 179 vendeve të botës, ose i 27-ti në Europë dhe po të krahasohet me vendet e Europës Qendrore dhe të Ballkanit Perëndimor renditet i 2-ti për nga rritja e nivelit të lirive ekonomike. Sipas renditjes, indeksi i lirisë është përmirësuar me 1.3 pikë krahasuar me vitin e kaluar. Në vendet e para për treguesit e demokracisë ekonomike janë Hong Kongu, Singapori, Australia, Irlanda, Zelanda e Re dhe Shtetet e Bashkuara. Ndërsa në vendet e fundit Burma, Kuba, Zimbabve dhe Koreja e Veriut. Fondacioni “Heritage”, pjesë e gazetës ekonomike “Wall Street Journal”, publikon çdo vit indeksin e lirisë ekonomike në gjithë botën, ku është i përfshirë edhe vendi ynë në këtë monitorim.
Përplasja e rezultateve
Edhe pse me nota pozitive raporti i “Wall Street Journal” është disi kontradiktor me shifrat e paraqitura nga “Transparency International” lidhur me luftën kundër korrupsionit. Kjo gjë u pranua edhe nga ministri i Financave, i cili u shpreh lidhur me matjen e korrupsionit se ka një diferencë midis “Transparency International”, e cila deklaroi 34 për qind hapësirën e lirisë dhe fondacioni "Heritage", që e deklaron 29 për qind atë. Sipas ministrit Bode, “të dyja institucionet dëshmojnë të njëjtën tendencë në rritje”. Sipas fondacionit "Heritage", Shqipëria është rritur në krahasim me vitin 2007 vetëm me 3 pikë, ndërsa sipas “Transparency International”, jemi rritur me 5 pikë përqindjeje. Por, sipas ministrit Bode, “tendenca është pozitive dhe progresi që bën Shqipëria mes vendeve të rajonit në luftën kundër korrupsionit është më i madhi”. Përsa i përket luftës ndaj korrupsionit, Bode vuri në dukje se "ajo që i jep qëndrueshmëri dhe rezultate luftës kundër korrupsionit janë reformat. Lufta kundër korrupsionit nuk është parullë, por një tërësi reformash që mundësojnë institucionet e shtetit të dominojnë mbi këtë fenomen, përmes praktikave ligjore".
Pretendimi i qeverisë
Duke marrë për bazë raportin, ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se përparimi i Shqipërisë është i dukshëm dhe se ky është rezultat i luftës antikorrupsion. I pyetur për masat e reja kundër fenomenit të korrupsionit, ministri Bode tha se do të jenë një sërë reformash në vijim që do të lehtësojnë edhe më tej procedurat dhe raportet e punës mes biznesit dhe qytetarëve me administratën. "Rezultatet e reformave fiskale, të luftës kundër korrupsionit dhe rritjes së investimeve kanë bërë që vendi ynë të lërë mbrapa vende si Franca, Italia, Sllovenia, Turqia, Rumania, Greqia, Maqedonia etjm", - ka thënë ministri Bode. Gjithashtu ai u përqendrua edhe në rritjen e lirisë ndaj korrupsionit, ku nga 26 për qind që ka qenë nota vitin e kaluar, këtë vit është bërë 29 për qind. “Reformat e marra në fushën e ekonomisë dhe financave publike kanë bërë që të ulet ky nivel”,- shtoi ai, duke vijuar më tej, “ulja e tatimit mbi fitim, ulja e tatimit mbi të ardhurat personale dhe një sërë masash të tjera lehtësuese sjellin progresin e Shqipërisë në liritë ekonomike. Ky përmirësim i jep një besueshmëri më të madhe ambientit ekonomik të vendit”. Kjo renditje e Shqipërisë sipas ministrit të Financave, është një sinjal pozitiv në sytë e biznesit të huaj, por edhe atij vendas për të nxitur më tej investimet në ekonomi.
16 Janar 2009