MSH-ja, projektligj për funksionet e reja që do të kenë spitalet në vend
Emanuela Sako
Ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë po hartojnë një projektligj ku do të përcaktohet funksioni i ri për të gjitha spitalet e vendit. Projektligji parashikon të detajuar mënyrën se si do të funksionojnë spitalet e mëdha dhe ata rajonalë në kushtet e reformës. Në të do të merren parasysh dhe kushtet aktuale apo mungesa e mjaft shërbimeve dhe specialistëve që mungojnë në shumicën e qendrave shëndetësore të vendit. Reforma që po synohet të shtrihet në të gjitha spitalet parashikon që ato t’i nënshtrohen një testimi se cilët janë në funksion të qytetarëve dhe se cilat shërbime ofrohen brenda kërkesave të Ministrisë së Shëndetësisë për funksionimin normal të tyre.
Reforma
Ministria e Shëndetësisë ligjërisht përcakton se çfarë spitalesh apo qoftë edhe shërbimesh duhet të jenë në spitale. MSH-ja duhet të përcaktojë standardet për spitalet dhe brenda vitit duhet të ketë përfunduar miratimin e protokolleve të mjekimit. Aktualisht ka nisur faza e parë e shtrirjes së Skemës së Sigurimeve Shëndetësore në të gjitha spitalet e vendit. ISKSH-ja do të financojë një paketë shërbimesh për ato spitale me të cilat do të lidhë kontrata. Në një fazë të dytë do të shihet nëse do të ketë zgjerim të kësaj pakete për të gjithë ata që paguajnë sigurime shëndetësore. Pavarësisht tarifave të ndryshme, shërbimet do të jenë të njëjta. ISKSH-ja do të lidhë brenda muajit mars kontratat e para me spitalet publike. Fillimisht, drejtorët e spitaleve do të lidhin kontrata me të gjithë punonjësit. Me këtë mënyrë procedimi do të arrihet autonomia e spitaleve, ku do të shënohet dhe faza e parë e reformës spitalore, e cila do të monitorohet nga ISKSH-ja. Hana ka siguruar se pacientët nuk do të kenë më mungesa medikamentesh në spitale. Tashmë problem mbeten borxhet e mëdha që kanë spitalet dhe shlyerja e tyre para se të bëhen pjesë e skemës së sigurimeve. Ministria e Shëndetësisë brenda korrikut 2009 duhet të përcaktojë standardet për spitalet dhe deri në fund të vitit do të përcaktojë protokollet e diagnozës dhe të trajtimit për çdo shërbim.
Borxhet
Problem ende i pazgjidhur për shtrirjen e skemës së sigurimeve mbeten borxhet e spitaleve të akumuluara në vite. Ndërkohë që vendimi më i fundit i qeverisë, që hapi dritën jeshile për shtrirjen e reformës në spitale, nuk përcaktonte një zgjidhje për borxhet që kanë spitalet. Për këto vonesa Hana u shpreh pak kohë më parë se nuk dihet shifra e saktë e borxheve, pasi janë të akumuluara ndër vite, ku prej 18 vjetësh spitalet punojnë me borxhe. Sipas informacioneve, borxhet nuk do t’u ngelen as spitaleve, as ISKSH-së. Fondet për shtrirjen e skemës do të shpërndahen nga Ministria e Financave. Në fazën e parë është vendosur nga qeveria një autonomi e kontrolluar e këtyre spitaleve dhe për këtë arsye është përcaktuar thesari si lëvruesi i fondeve në momentin e parë. Përsa u përket të ardhurave dytësore, spitalet do të kenë mundësi të trashëgojnë fondet. Kjo do të thotë se nëse mbeten fonde pa shfrytëzuar gjatë vitit, ato nuk do të kalojnë më në buxhetin e shtetit, por do të mund të mbahen dhe të përdoren nga vetë spitali edhe vitin tjetër.
16 Janar 2009