“Malet drejt tregut”, Financat nënshkruajnë marrëveshje 9.2 milionë dollarë me IFAD-in
Ministria e Financave nënshkroi dje një marrëveshje për një hua prej 9.2 milionë dollarësh me Fondin Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë (IFAD), për financimin e programit “Malet drejt tregut”. Në emër të palës shqiptare marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili falënderoi IFAD-in dhe Ministrinë e Bujqësisë për përgatitjen e programit, ndërsa theksoi se, “objektivi i këtij programi është zbutja e varfërisë dhe zhvillimi i zonave rurale malore”. Programi ka për qëllim përmirësimin e kushteve dhe zgjerimin dhe rritjen e aksesit drejt tregut të të gjitha zonave të pafavorizuara, zonave malore të vendit. “Programi është duke u zhvilluar prej vitesh dhe qeveria për të luftuar në mënyrë të qëndrueshme varfërinë për zonat malore dhe të izoluara si dhe për të krijuar mundësinë e një zhvillimit të qëndrueshëm në këto terrene po vepron në dy drejtime: së pari, në përmirësimet thelbësore infrastrukturore të zonave të izoluara, përmes asfaltimit dhe rritjes së përshkueshmërisë së tyre me infrastrukturë rrugore. Së dyti, përmes asistimit, ndihmës dhe nxitjes me sistemin e kreditimit, me një koncept tërësisht drejt tregut”, - tha ministri Bode. Programi do të zbatohet në katër qarqe malore veriore; Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë, të cilat kanë nivelin më të lartë të varfërisë në vend. Kostoja e parashikuar e programit është 17.946 milionë USD, e cila do të jetë një bashkëfinancim i IFAD-it, me një kredi prej rreth 9.2 milionë USD dhe një grant prej rreth 400 mijë dollarësh, qeverisë shqiptare, me një financim prej 2.489 milionë dollarësh dhe përfituesve me një financim prej 5.856 milionë dollarësh.
16 Janar 2009