Krimet e Rënda dënojnë Shullazin dhe Ferhatin me nga 13 vite burg
Laureta Rryçi
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi dje me nga 13 vite burg Emiljano Shullazin dhe Ervin Ferhatin. Gjatë seancës së djeshme fillimisht avokatët dhanë argumentet e tyre për mbrojtjen e klientëve dhe më pas kolegji penal u shpreh në një vendim përfundimtar. Sakaq, një seancë më parë prokuroria u shpreh për linjat e trafikut, funksionimin e organizatës kriminale, ngarkesat me heroinë, të ardhurat e këtij trafiku, si dhe rolin e të pandehurve apo të dënuarve të përfshirë në këtë organizatë kriminale. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, dy të pandehurit ishin pjesë e linjës për trafik të lëndëve narkotike, Turqi-Shqipëri-Itali.
Akuza
Përfaqësuesi i çështjes i pati kërkuar gjykatës që Shullazi dhe Ferhati të dënoheshin me nga 18 vite burg secili. Sipas hetimeve, kishte rezultuar se trafiku i drogës niste nga Turqia drejt Shqipërisë dhe kishte si destinacion përfundimtar Italinë. Dy të pandehurit, sipas gjykatës, janë drejtues, financues të organizatës, e cila funksiononte me dy nëngrupe të veçanta në Itali, me korrierë kroatë dhe kosovarë, si dhe një furnizues turk. Për këtë organizatë, Policia italiane ka organizuar përgjatë viteve 2004-2005 disa operacione duke sekuestruar sasi të shumta heroine dhe ka arrestuar 9 bashkëpunëtorë të drejtuesve, dy prej të cilëve Emiliano Shullazi, i prezantuar në narkotrafik me emrin Anton Nikolli dhe Ervin Ferhati, i njohur si Ergys Ferhati.
Përgjimet
Duke përmendur 72 përgjimet telefonike, prokurorja tha se vërtetohet plotësisht mënyra si trafikantët organizoheshin për shpërndarjen dhe shitjen e heroinës në merkaton italiane. Nëpërmjet korrierëve të arrestuar nga italianët, Branko Govedarovich, Strago Zagoi dhe kosovarit Nevzdet Haziri, të pandehurit kanë trafikuar në total rreth 150 kilogramë heroinë dhe përzierës, të ndarë në dërgesa me 10-15 kg. Korrierët drejtoheshin me telefon nga të pandehurit dhe kryenin dorëzimin e heroinës më së shumti me makina me targa kroate, por edhe biçikleta. Gjatë arsyetimit të vendimit, gjykata përmendi pesë episodet e operacioneve në Itali, ku më i rëndësishmi është ai qershorit 2004.
Niset për në Afganistan kontingjenti i katërt paqeruajtës
Tiranë - Në aeroportin e Rinasit u zhvillua dje ceremonia e nisjes së Kontingjentit të 4-t Paqeruajtës në Herat të Afganistanit. Kontingjenti përbëhet nga një kompani prej 112 oficerësh, nënoficerësh dhe ushtarësh profesionistë, efektivë të Brigadës së Reagimit të Shpejtë. Trupat paqeruajtëse të këtij kontingjenti do të zëvendësojnë Kontingjentin e Tretë, që shërben prej 6 muajsh në Herat, nën komandën italiane, duke përmbushur detyrat e ngarkuara në kuadër të misioneve paqeruajtëse të NATO-s. Në ceremoni ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneral brigade Maksim Malaj, komandanti i Forcës së Bashkuar, gjeneral brigade Agim Lala, përfaqësues të Trupit Diplomatik dhe atashe ushtarakë të akredituar në vendin tona, ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm, familjarë dhe të afërm të misionarëve paqeruajtës etj. Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, fjalën e hapjes e mbajti komandanti i Brigadës së Reagimit të Shpejtë, gjeneral brigade Viktor Berdaj, i cili nënvizoi rëndësinë e këtij misioni paqeruajtës, si dhe kontributin që Brigada e Reagimit të Shpejtë ka dhënë në misionet jashtë atdheut për ruajtjen e paqes dhe të lirisë. “Është një kënaqësi e veçantë që sot marr pjesë në këtë ceremoni të nisjes së Kontingjentit të Katërt Paqeruajtës në Herat, një mision të cilin kam pasur sodisfaksion të veçantë ta vizitoj muaj më parë dhe që për mua ka qenë vizita e parë si ministër i Mbrojtjes pikërisht për të vizituar trupat shqiptare në Afganistan”, - tha në fjalën e tij ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Ministri i Mbrojtjes ka shprehur një falënderim të veçantë për familjarët e paqeruajtësve. “Dua t’ju uroj edhe njëherë rrugë të mbarë dhe mision të mbarë. Ashtu siç Himni ynë Kombëtar fillon ‘rreth flamurit të përbashkuar’, jam i sigurt se ju, ashtu të gjithë së bashku, do të qëndroni krah njeri-tjetrit në këtë mision dhe do ta mbani lart flamurin shqiptar. Ju do të ktheheni në Shqipëri duke e gjetur atë dhe FA-në shqiptare anëtare me të drejta të plotë në NATO. Dhe për këtë arritje madhore ju keni kontributin tuaj dhe ne do t’ju jemi vazhdimisht mirënjohës për këtë kontribut”, - e ka përfunduar përshëndetjen e tij ministri Oketa. Trupat paqeruajtëse i përshëndeti edhe zëvendësambasadori italian në Tiranë, Françesko de Luixhi.
Policia, aksion blic për kontrollin e videotekave nga prodhimet pirate
Tiranë - Zyra për mbrojtjen e të drejtave të autorit ka organizuar dje një aksion blic në disa nga videotekat e Tiranës. Aksioni është zhvilluar në bashkëpunim me zyrën e tatimeve të kryeqytetit, për të kontrolluar dokumentacionin e nevojshëm të këtyre aktiviteteve. Sipas inspektorëve të zyrës për mbrojtjen e të drejtave të autorit, ky aksion konsistonte në kontrollimin dhe gjobitjen e piraterisë së filmave të huaj dhe lojërave të ndryshme kompjuterike, të cilat shiten pa pasur të drejtën e autorit. Inspektorët kanë thënë se pronarët e videotekave, të gjendur të papërgatitur nga ky aksion, kanë kundërshtuar kontrollin me pretendimin se nuk janë paralajmëruar më parë, ndonëse në ligjin për mbrojtjen e të drejtave të autorit thuhet qartë së ndalohet rreptësisht pirateria e të gjitha produkteve audio apo video pa të drejtë autori. Shpeshherë artistët ankohen se puna e tyre dëmtohet shumë për shkak të piraterisë së paligjshme dhe mungesës së zbatimit të ligjit për të drejtën e autorit.
Aksidentohet gjatë punës një shqiptar në Itali
Një punëtor shqiptar, 42 vjeç, ka mbetur i plagosur gjatë një incidenti në punë në Trento. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur dje rreth orës 16:00, në thertoren “Hauser”, në rrugën “Kane’a”. Mësohet se, shqiptari është goditur nga një ganxhë që shërben për të mbajtur mishin dhe që kishte rënë nga tre metra lartësi, në kohën kur ai po shkarkonte një kamion me mish. Pas ndihmës së parë ai është dërguar në spitalin “Santa Kiara” të Trentos, ku ka marrë mjekim të specializuar. Policia ka nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje.
16 Janar 2009