E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjatë 2009-s në Shkodër dhe Fier do të ndërtohen dy burgje të reja



Laureta Rryçi

Tiranë - Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka gati projektet se ku do të ndërtohen burgjet dhe paraburgimet e reja. Burime zyrtare pranë kësaj drejtorie pohuan dje për gazetën “Albania” se cilat janë qytetet për të cilat janë menduar të shtohen institucionet e riedukimi. Burgjet dhe paraburgimet që pritet të ndërtohen sipas specialistëve do të zbusin jo vetëm fenomenin e mbipopullimit, por do të nisë dhe pranimi i kërkesave nga të dënuarit shqiptarë që janë dënuar nga gjykatat e huaja. Të njëjtat burime saktësuan se për vitin 2009 do të nisë shumë shpejt zbatimi i projekteve për ndërtimin e dy burgjeve të reja.
Projektet e reja
Specialistët kanë përcaktuar qytetet e Shkodrës dhe të Fierit për këto institucione riedukimi. Ndërsa për paraburgimet është parashikuar që të ndërtohen në qytetet e Beratit, Elbasanit, Gjirokastrës dhe Kukësit. Për dy burgjet është menduar që të jenë me një kapacitet rreth 750 të dënuar secili. Afati i përfundimit të tyre do të përcaktohet në momentin kur të nisin punimet për ndërtimin e godinës. Me ndërtimin e dy burgjeve të reja, të dënuarit që u përkasin këtyre dy qyteteve nuk do ta vuajnë më dënimin në një burg shumë larg familjes. Kështu, për familjarët do të ketë më pak shpenzime dhe do të mundin t’i shfrytëzojnë të gjitha takimet që u përcaktohen me ligj. Paraburgimet e reja janë të tjera projekte të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Specialistët kanë përcaktuar se të domosdoshme për këto ambiente e kanë qytetet e Kukësi, Berati, Elbasani dhe Gjirokastra.
Numri i burgjeve
Në vitin 2008 janë menaxhuar 20 institucione të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, me një kapacitet për 3899 persona. Sipas statistikave të fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nga viti në vit ka një rritje të ndjeshme të investimeve infrastrukturore si dhe rritje të investimeve për përmirësimin e sistemit të sigurisë në sistemin penitenciar. Nëse do të bëjmë një krahasim me vitin 2007, fondi i miratuar për investime ka qenë 55.000.000 lekë, ndërsa për 2008-n fondin ka qenë 165.000.000 lekë. Gjatë vitit që kaloi ndër investimet më të rëndësishme që janë bërë në kuadër të përafrimit të standardeve të sistemit penitenciar me atë europian është hapja e dy burgjeve të reja, atë të Vlorës dhe Fushë-Krujës.

Krimet e Rënda, dërgohet për gjykim dosja me 7 të pandehur

Tiranë - Në Gjykatën e Krimeve të Rënda do të nisë së shpejti procesi në ngarkim të shtatë personave, të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike dhe municioneve luftarake. Bëhet fjalë për shtetasit Divid Islamaj, Edison Begaj, Erjon Dulaj, Eduart Marku, Albert Brahimaj, Azem Cimili dhe Ali Cimili, të dyshuar si përgjegjës në trafikimin e rreth 284 kilogramëve drogë e llojit marijuanë, e cila është bllokuar më 19 shkurt 2008 në fshatin Dermenas në Fier. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila hetoi çështjen, droga është gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale në një automjet tip furgon me targa fieri. Gjatë kontrollit në këtë automjet, forcat e policisë bllokuan edhe 5 armë zjarri automatike si dhe 1 arkë me fishekë. Me thellimin e hetimit, Prokuroria zbuloi shtatë të dyshuarit si përgjegjës në tentativën për trafikimin e lëndës narkotike, shumë prej tyre të arrestuar tashmë. Sipas hetimit të çështjes, kjo sasi droge ishte destinuar për t’u trafikuar jashtë Shqipërisë. Tashmë, me përfundimin e hetimit nga prokuroria dhe regjistrimin e çështjes në gjykatë, pritet të nisë procesi ndaj shtatë të akuzuarve të saj.

Mungojnë avokatët, shtyhet seanca për bandën e Durrësit

Tiranë - Procesi ndaj Bandës së Durrësit nuk ka mundur dot të zhvillohej as ditën e djeshme. Sërish shkak për këtë shtyrje të gjyqit është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës, ndërsa prokurorët kanë akuzuar avokatët se kjo është një zvarritje e qëllimshme që i bëhet gjyqit. Nga 54 seancat në ngarkim të bandës së Durrësit, mbi 70 për qind e tyre janë shtyrë. Edhe pse gjykata ka vendosur zëvendësimin e avokatëve mbrojtës me avokatë të emëruar prej saj, kjo duket se nuk ka qenë një zgjidhje për problemin tashmë gangrenë të gjykimit të çështjeve, të cilat duket se mbeten peng i avokatëve mbrojtës. Seanca e radhës për bandën famëkeqe është caktuar të zhvillohet më datë 22 janar. Banda dyshohet si autore e një seri vrasjesh të ndodhura në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 e në vazhdim si dhe trafikim lëndësh narkotike.

Arrestohet shqiptarja e dënuar, iu arratis Policisë greke

Një shtetase shqiptare është arrestuar në doganën greke të Kristalopigjisë dje, duke u përpjekur të shkonte në Shqipëri. Sipas deklaratave në media të Policisë greke, shtetasja në fjalë ishte një e dënuar e cila ishte arratisur në momentin kur dy police greke e kishin çuar në spitalin “Ipokratio” të Selanikut për të kryer disa analiza mjekësore. Më pas, me sa duket ajo ka gjetur mundësinë të udhëtojë drejt doganës së Kristalopigjisë, por aty është arrestuar nga Policia greke, e cila ishte e informuar për ngjarjen, madje kishte edhe urdhër arrestimi për të, i cili u ishte shpërndarë të gjitha pikave kufitare. Burime pranë kësaj policie deklaruan se bëhet fjalë për një 30-vjeçare e cila vuante dënimin në burgjet greke me akuzat e vjedhjeve dhe të trafikimit të drogës. Ndërkohë Policia e Selanikut ka nisur një hetim për të zbardhur shkaqet e arratisjes së saj, që me sa duket ka ndodhur nga pakujdesia e policëve që e shoqëronin.

16 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›