E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokumenti sekret: Pse u detyruam ta pushkatojmë Ramize Gjebrenë

• Ka qenë fillimi i marsit ’44, kur komanda e Brigadës së Pestë, pasi ka pushkatuar me një gjyq special Ramize Gjebrenë, i ka raportuar menjëherë Enver Hoxhës.Arben SaliuNgjarja tronditëse në emër të moralit të pastër partizan, duhej bërë prezent për komandën e lartë dhe liderin kryesor të saj që ndodhej në Qarkun e Korçës. Ca më tepër që vendimi makabër ishte marrë nga komanda lokale pa marrë lejen e Komitetit Qendror, sipas rregullave të miratuara për të tilla raste.Gazeta “Panorama”, zbulon për herë të parë raportin e nënshkruar nga Hysni Kapo e Shefqet Peçi, respektivisht komisar e komandat të Brigadës së Pestë, nëpërmjet të cilit informohet Komiteti Qendror i Partisë Komuniste për rrethanat në të cilat u pushkatua Ramize Gjebrea dhe u dënua Zaho Koka. Në krye dhe në fund të këtij dokumenti tërheq vëmendjen sigla “Vdekje fashizmit. Liri popullit”. Motivi kryesor ky i tërë luftës dhe përpjekjeve të dy antifashistëve të ndëshkuar, të cilëve iu prenë ëndrrat në mes nga kjo “stinë” që po jetonin, ku dashuria për lirinë e Atdheut duhet të eklipsonte çdo lloj dashurie tjetër. Raporti sekret i mbërritur në Panarit të Korçës në marsin e vitit ‘44, është lexuar fillimisht nga Enver Hoxha, i cili është njohur me ngjarjen dhe ka dhënë porositë e rastit. Çfarë ndjenje ka shkaktuar kjo tek ai dhe cili ka qënë reagimi ndaj kësaj mase ekstreme, nuk është marrë vesh asnjë herë. Ajo që dihet është përpjekja e Enverit për të informuar Nako Spiron ish të fejuarin e Ramize Gjebresë dhe një lloj përkujdesje e tij në interpretimin e rasteve të tilla delikate. Në Arkivin Qendror të Shtetit ndodhet një letër me porositë e Enverit në trajtimin e rasteve të dashurisë midis të rinjve partizanë, mesazhi i të cilës u zbërthye më gjerësisht nga Nako Spirua në Kongresin e Rinisë Antifashiste që u bënë Lirzë të Skraparit.Drama e dashurisë tragjike së Ramize Gjebresë dhe Zaho Kokës përbën një nga ngjarjet më të bujshme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që vazhdon dhe sot e kësaj dite të kujtohet me plot dhimbje nga bashkëluftëtarët dhe ata që i kanë njohur.Të shtyrë nga ligësia, për ngjarjen rrëqethëse, nuk kanë qëndruar indiferentë as ata, të cilët vazhdojnë të harxhojnë bojë, letër e frymë, me qëllim që qyrkun e amoralitetit të kauzës që përfaqësojnë, ta hedhin mbi supet e triumfatorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Përtej dashakeqësisë së kësaj kategorie, dokumenti arkivor që po botojmë hedh dritë mbi rrethanat e vërteta dhe motivet që e shtynë këtë komandë për të penalizuar fatalisht një dashuri...Dokumenti:Komitetit Qendror të Partisë Komuniste shqiptare                                                      RAPORTNë kohën kur Partia jonë me themele të çelikta, e çimentuar prej shokëve tanë që kanë derdhur gjak, është më e fortë se kurrë; në kohën kur Ushtria Nacionalçlirimtare po shtohet dhe forcohet dita-ditës duke u dhënë grushte të forta okupatorit dhe tradhtarëve, pikërisht në këtë kohë kur armiku po bën ofensiva të vazhdueshme kundra forcave tona liridashëse, kur anëtarët e Partisë Komuniste duhet të jenë shembull në luftë, sakrifica, sjellje dhe të mendojnë vetëm për një gjë: Realizimin e qëllimit tonë, konstatohet me hidhërimin më të madh se midis dy drejtuesve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Brigadës së Pestë të neglizhohet puna dhe të mbërrijnë të cenojnë moralin proletar, pikën më të dobët ku armiku na ka luftuar dhe po na lufton.Kur armiku me forca të shumta në të gjitha anët goditi qarkun tonë, komanda e Brigadës vendosi që të pesë batalionet të shpërndaheshin në pesë sektorë për ta pritur armikun me luftë në çdo anë. Batalioni i III-të u dërgua në krahinën e Himarës për shkatërrimin e komunikacionit dhe të ndalonte lëvizjet armike, ku e kreu detyrën plotësisht. Për çdo batalion, përveç drejtuesve të batalioneve, u ndanë edhe shokët që përbëjnë Shtabin (e Brigadës),  si dhe ata që bëjnë pjesë në Seksionin Politik, me qëllim që puna të shkonte më mirë. Në Batalionin e III-të, që komandohet prej shokut Mehmet Ali Shehu, prej komisarit Zenel Hamiti, prej zv/komisarit Zaho Koka dhe prej zv.komandantit Hysen Çino, shkoi për të vazhduar punën politike dhe organizative shoqja Ramize Gjebrea, anëtare e Seksionit Politik në Brigadë dhe si drejtuese e rinisë së Brigadës dhe e Agjit-Propit. Gjatë kohës së qëndrimit të shoqes në fjalë në krahinën e Himarës, konstatohet se Ramizja bie në relacione dashurie me zv. komisarin e batalionit, Zaho Kokën, siç do ta shihni dhe në raportet e bashkangjitura të bëra prej komisarit të batalionit, shokut Zenel Hamiti, prej partizanit Tanush Shyti, prej anëtarit të Komitetit të Rajonit, shokut Lefter Kasneci, si dhe shokut Xhake (Ramadan Xhangolli), që  ka raportuar aty dhe këtu na i raportoi verbalisht.Shtabi i Brigadës, porsa mori raportet e sipërme, mori masat e duhura për arrestimin e tyre dhe formoi gjyqin për t’i dhënë fund sa më parë këtij skandali, që mbërriti të kuptohet haptazi dhe prej disa partizanëve që ndodheshin përqark.Duke marrë parasysh se çështja ishte mjaft serioze dhe duhej para se të merrej vendimi i duhur, të rriheshin të gjitha problemet që  do të na paraqiteshin në këtë rast dhe duke pasur pamundësinë të merreshim vesh me Komitetin Qendror mbasi, të dy të dashuruarit e kuptuan se shokët drejtues të Ushtrisë ishin në dijeni dhe për të evituar çdo gjë (tradhtinë e tyre), e pamë të arsyeshme që gjyqi të formohet më i gjerë dhe jo vetëm prej atij të Brigadës. Kështu, që në këtë gjyq morën pjesë këta shokë:Komandanti i Brigadës, komisari, zv.komisari, sekretari organizativ i Seksionit politik, kulturor-arsimor; sekretari politik i Qarkorit të Vlorës dhe i deleguari i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste Shqiptare, shoku Xhake.Gjyqi mori në pyetje shoqen Ramize duke i kërkuar të shpjegojë ngjarjen përsa i përket relacioneve dashurore me Zaho Kokën. Deklaratat e para të saj përshkruhen në procesin nr.1. U mor në pyetje Zaho Koka. Deklaratat jepen në procesin nr.2.Meqenëse deklaratat ishin në kundërshtim, u thirr përsëri Ramizeja, e cila deklaroi sipas procesit nr.3. U pa i nevojshëm ballafaqimi dhe mbasi u ballafaquan, u firmos procesi nr.4. Siç do ta shihni dhe nga proceset në fjalë, në procesin e mbajtur herën e parë mohohet çdo gjë prej Ramizes. Mohoi gjithashtu dhe thëniet e shokut Xhake, që ia shfaqi në prezencën e saj para gjyqit. Gjithashtu edhe në procesin e dytë të Ramizes, shihet se mundohet të mbulojë të vërtetën. Vetëm kur u bë ballafaqimi, duke parë se Zahua faktonte të gjitha, u shtrëngua të pranojë duke u munduar në çdo mënyrë që të justifikohet. Mbasi firmosën që të dy procesin e fundit, gjyqi i formuar posaçërisht, duke marrë parasysh zhvillimin e ngjarjeve, duke marrë parasysh realitetin e raporteve të shokëve që i kishin paraqitur me shkrim dhe verbalisht, si dhe nga sa u konstatua në deklaratat e Zahos dhe Ramizes, studioi:Ramizeja - Shoqe me përgjegjësi, edukatore e rinisë së Brigadës, e zhvilluar nga çdo pikëpamje. Zotëron vijën e Partisë fare bukur, e fejuar legalisht para partisë, udhëheqëse në terren dhe ushtri. Në një kohë kur Ushtria jonë ndodhej në vuajtjet më të mëdha, në këtë kohë kur shokët komunistë duhet të tregohen më të fortë se kurrë, të mbajnë lart moralin e ushtrisë, të jenë shembull në vuajtje dhe sakrifica, Ramizja  arrin që të mohojë që të gjitha, vetëm për të kënaqur epshet e saj. Influencon te Zahoja dhe bashkërisht dëfrejnë. Para gjyqit nuk është treguar aspak e sinqertë. Bindemi pra se e përmendura është tradhtare e Partisë, shkelëse e moralit proletar dhe tradhtare e shokut të cilit i ka premtuar fejesën (Nako Spirut). Nuk ka asnjë fije komunisti, mbasi ka mohuar çdo gjë. Me zë të përbashkët shfaqet mendimi që e përmendura të pushkatohet para forcave partizane.Zaho Koka - Njeri i vendosur për Partinë. I pa zhvilluar siç duhet. Di vijën e Partisë, influencohet prej shokëve me përgjegjësi. I pa fejuar. Deklaron se e donte me qëllim martese, duke mos e ditur fejesën e saj. I ngarkuar me përgjegjësi, jo pse është në gjendje, por sepse ishte besnik i Partisë dhe gjatë detyrës, me ndihmën e shokëve do të zhvillohej. Eshtë shkelës i moralit proletar. Më shumë për këtë tek ai ka influencuar Ramizeja, që ishte në një pozitë më të lartë dhe më vonë këtë dashuri e ka vazhduar me konshiencë.Para gjyqit është treguar deri diku i sinqertë, ku tregohet diçka si komunist, megjithëse duhej të kishte raportuar më parë. Duke marrë parasysh se fajet e njërit dhe të tjetrit nuk janë të njëllojshme dhe duke pasur parasysh se elementët që japin shpresë, të mundohemi t’i ngremë lart, megjithëse janë fajtorë, mbas shumë diskutimesh u vendos që Zaho Koka të merrte këtë dënim: Shkarkim nga përgjegjësia, përjashtim nga Partia dhe të dërgohet në një qark tjetër.Vdekje Fashizmit,Liri PopullitZonë e Lirë, 7/III/ 44Komandanti i Brigadës (Shefqet Peçi)Komisari i Brigadës (Hysni Kapo)zv.Komisari (Manush Myftiu)Organizativi i Seksionit Politik (Hito Çako) ÇobaniKulturor-arsimori (Bilbil Klosi)Sekretari Politik i K. Qarkor (Pajo Islamaj)I deleguari i K. Qendror të Rinisë K.Sh.(Xhaka)AQSH, Fondi 14, V.1944, Dosja 17/1, Fletët 1, 2.vijon nesër...neser do te lexoniSi u përjetua nga drejtuesit e lartë të ushtrisë Nacional Çlirimtare lajmi për vrasjen e Ramize Gjebresë.Çfarë i tha Enver Hoxha, Zaho Kokës në takimin e fundit me të në Pojan të Korçës.Cila ishte detyra e re që i ngarkoi Enver Hoxha, Zaho Kokës dhe si u përmbush ajo.Në ç’rrethana u vra Zaho Koka në Vuno dhe pse nuk iu bë jehonë aktit të tij.Letra e Enverit për Nako Spiron: Ramizeja u dënua për shkelje të moralit partizan“Kjo puna e dashurisë është delikate, diçka që mund të presë nga të dyja anët. Nuk duhet të kalojmë në kurvëri, por nuk duhet të lejojmë as jetën e murgjërve dhe murgeshave”. Eshtë mesazhi i parë që Enver Hoxha i adreson Nako Spiros në mars të vitit ‘44, vetëm pak ditë pas pushkatimit të së fejuarës së tij. Nëpërmjet një letre, që kreu i Partisë Komuniste i adreson mikut të tij, në mars 1944, për gjendjen në veri dhe jug të Shqipërisë, pas mësymjes së përgjithshme armike të dimrit, midis të tjerash e vë në dijeni edhe për ngjarjen tronditëse të vrasjes së Ramize Gjebresë: “Nga Vlora lajmërohemi se shtabi i Brigadës së Pestë dhe disa shokë të terrenit, të mbledhur në një gjyq të posaçëm, kanë gjykuar dhe dënuar me pushkatim shoqen Ramize Gjebrea. E akuzonin për tradhti karshi partisë dhe shkelje të moralit proletar. S’është nevoja të zgjatemi mbi çështjen që ngjau. Kemi raportin dhe proceset e këtij gjyqi, por s’i dërgojmë se mos bien në dorën e armikut. Kur të takohemi i sheh. Megjithëqë djallja s’ishte sjellë mirë, por prapë dënimi i dhënë ishte shumë i rëndë. Çështja e dashurisë së lirë është shumë delikate dhe shokët as që e kanë kuptuar. Çështja e Vlorës bëri shumë bujë atje dhe shokët e Brigadës, të alarmuar, panë punën që kish bërë Ramizeja si një cenim dhe diskreditim për ushtrinë dhe partinë dhe morën atë vendim të shpejtuar pa pyetur Komitetin Qendror. Nga ana tjetër, shoqja është përpjekur dhe ka larguar shokët dhe ka sabotuar punën, vetëm e vetëm që të qëndronte me shokun Zaho Koka. Shokun në fjalë e kanë qitur nga Partia dhe e kanë çuar në krahinën e Korçës, të punojë këndej. Për këtë punën delikate të dashurisë, duhet që shokët e Partisë dhe të Rinisë të kenë kujdes të madh, pse kjo çështje mund të presë nga të dy anët. Po të kuptohet keq prej shokëve dhe shoqeve çështja e dashurisë së lirë, atëherë kalojmë lehtë-lehtë në kurvëri dhe, nga ana tjetër, mund të kalojmë në jetën e murgjërve dhe murgeshave. Shtrojeni çështjen qartazi në Rini dhe në Parti me anë konferencash, pse nuk jemi organizatë priftërinjsh, por të gjitha punët duhet t’i shohim nga ana e përparimit.”  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›