Bllokohet ndihma ekonomike në Gjoricë
Prej dy muajsh, Komuna Gjoricë në Rrethin e Bulqizës nuk ka dhënë ndihmën ekonomike për qindra familje në nevojë, të cilat mbijetojnë pikërisht nëpërmjet kësaj ndihme. Kjo ka bërë që mjaft prej këtyre familjeve të mund të mbijetojnë nëpërmjet marrjes së ushqimeve dhe bukës me lista, me shpresën për t’i likuiduar shitësit kur të marrin ndihmën ekonomike. Burime nga kjo komunë konfirmojnë për “Shqip” se shkak i bllokimit të ndihmës ekonomike është bërë Prefektura e Dibrës, që nuk ka konfirmuar vendimin e këshillit të komunës për dhënien e ndihmës. Ndërkohë, burime nga Prefektura Dibër bëjnë me dije për “Shqip” se bllokimi i ndihmës ekonomike të muajit prill për familjet në nevojë të Komunës Gjoricë është bërë pasi janë vërejtur shkelje të rënda të procedurave të marrjes së kësaj ndihme. Kështu, prefektura ka vërejtur një rritje drastike prej 120 familjesh, që u shtoheshin për këtë muaj familjeve në nevojë, krahasuar me tre muajt e parë të këtij viti. Sipas komunës, një rritje e tillë e numrit të familjeve për t’u trajtuar me ndihmë ekonomike ka ardhur si pasojë e kthimit të mjaft emigrantëve në vendlindje, për shkak të krizës ekonomike që ka përfshirë mbarë Europën dhe më gjerë, të cilët në të tilla kushte meritojnë të trajtohen me ndihmë. Kështu, sipas pushtetarëve vendorë, një shtim i tillë i familjeve për t’u trajtuar me ndihmë është krejt një gjë normale, edhe pse vlera e kësaj ndihme për çdo njërën nga familjet e trajtuara bie ndjeshëm në vlerë leku. Mësohet se në zgjidhjen e këtij problemi ka ndërhyrë edhe Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Dibër, por deri më tani nuk ka zgjidhje.
#