Korçë, debati institucional kalon nga sheshi, tek unaza
Debati për investimet në infrastrukturë në Korçë ka kaluar nga sheshi kryesor, në unazën e qytetit, duke sjellë përplasjen institucionale të radhës. Punimet në unazën e Korçës janë pezulluar nga bashkia e qytetit, që ka ndëshkuar edhe firmat me një gjobë prej 5 milionë lekësh, për faktin se i kanë kryer punimet pa leje ndërtimi. Bashkia pretendon se ndërtimi i unazës është kryer pa leje dhe nuk është paguar taksa e infrastrukturës prej 2 për qind, që kap vlerën e 20 milionë lekëve. Përplasja ka nisur këtë herë mes Bashkisë së Korçës dhe qeverisjes qendrore për ligjshmërinë e investimeve në unazën e jashtme. Nga ana e saj, Partia Demokratike e ka konsideruar veprimin e bashkisë për pezullimin e punimeve si bllokim të investimit për dy segmente, ndërkohë që nga ana e saj, bashkia e vlerëson si të paligjshëm investimin që është bërë me punime të cilat janë kryer pa lejen e KRRT-së. Të dyja palët kanë dalë me prononcime publike dhe akuza të ndërsjella.
Zëdhënësi i PD-së, Andi Pllaha, ka thënë se “ky vendim i bashkisë synon të pengojë investimet madhore të qeverisjes qendrore. Urdhri për pezullimin e punimeve dhe gjobitja e firmave zbatuese të projektit është antiligjor. Pretendimi për mungesën e lejes nuk qëndron dhe ky është një mashtrim i pastër. Leja është miratuar me vendimin e datës 31.10.2008 nga ana e KRRT-së së bashkisë, por kjo bëhet për të penguar investimin madhor”.
Bashkia nga ana e saj pretendon se ka shkelje ligjore në projektet e investimit për unazën e jashtme të qytetit, pasi dy firmat private nuk kanë marrë lejen e ndërtimit dhe për më tepër nuk është derdhur asnjë lek për llogari të arkës së pushtetit lokal për sa i përket taksës së infrastrukturës. “Ne kemi zbatuar vetëm ligjin. Punimet në unazë janë të parregullta dhe janë kryer pa leje ndërtimi. Bashkia me KRRT-në e saj nuk e kanë miratuar lejen, por është bërë vetëm miratimi i studimit urbanistik. Edhe ky investim po përdoret politikisht, ashtu siç është bërë me projektin e qendrës së Korçës. Gjoba është e rregullt, pasi firmat po zbatojnë një projekt që nuk e ka marrë lejen e ndërtimit dhe nga ana tjetër qeveria nuk ka derdhur taksën prej 20 milionë lekësh”, tha zëdhënësja e bashkisë, Benila Terova.
Debati për unazën vjen pas pezullimit të investimeve ndaj Bashkisë së Korçës me anulimin e tyre nga këshilli bashkiak. Pas bllokimit të dy projekteve, atij të sheshit para katedrales dhe të zonës këmbësore, tashmë unaza e Korçës është bërë objekti i radhës. Kjo unazë është projekt i qeverisë shqiptare dhe ka përfunduar në pjesën më të madhe të saj.
#