Sillet në pranga tutoria që ktheu në prostituta dy vajza të varfra
Me pranga në duar është sjellë nga Italia tutoria e dy vajzave të reja, që i shfrytëzonte si prostituta në Tiranë, duke u ndihmuar edhe nga një taksist. Rreth orës 11:30, nga Interpol-Tirana, u krye ekstradimi nga Roma i Valbona Kazanxhi, 37 vjeçe, lindur në Fier dhe banuese në Tiranë. Gjykata e Tiranës, me vendimin e datës 18 korrik 2007, ndaj saj ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese. Dy vajzat e shfrytëzuara nga Kazanxhi Benereta D. dhe Elona D., ishin paraqitur në policinë e Tiranës më 19 prill të vitit 2007 dhe kanë bërë kallëzim ndaj saj. Sipas kallëzimeve të të dëmtuarave, Kazanxhi, u gjente klientë atyre dhe për lëvizjen në vendet ku ato ushtronin prostitucion, përdorte si taksi atomjetin Volksvagen të Ismail Laskut, me targa TR 3428 B. Me mjetin e mësipërm, kallëzueset lëviznin për të shkuar në vendet, ku i dërgonte e Kazanxhi. Gjatë kontrollit të mjetit janë sekuestruar edhe dy kuti me prezervativë. Po kështu, nga përgjimi ambiental i bërë nga policia, Kazanxhi dhe Lasku kanë zhvilluar një bisedë të shkurtër midis tyre, në përmbajtjen e së cilës, bëhej fjalë për vajzat si dhe mundësinë nëse ato u kishin treguar punonjësve të policisë për veprimet që ato kishin kryer. Benereta, duke pasur kushte të vështira familjare, pasi keqtrajtohej nga i ati, është lidhur fillimisht nëpërmjet të dashurit të vet, një person me emrin Niu nga Kavaja, me Valbonën, që banonte me qira tek pallatet e Malajzianit, Tiranë. Duke qenë se i dashuri i Beneretës, njihej me të dashurin e së pandehurës, ata kanë biseduar mes tyre që Benereta të qëndronte në shtëpinë e saj. Gjatë qëndrimit, ajo e ka provokuar për të ushtruar prostitucion, pasi do të fitonte shumë para. Ajo nuk ka pranuar, por duke përdorur presionin psikologjik për të paguar qiranë dhe ushqimet, e ka detyruar të ushtrojë prostitucion, duke i siguruar klientët dhe duke bërë pazarin me ata. Fillimisht, Kazanxhi ka ndërmjetësuar për të futur në punë si kameriere Beneretën në lokalin poshtë pallatit, ku ajo do merrte pagën prej 13 mijë lekësh në muaj, por pas një jave punë, si rezultat i nxitjes së bërë, ajo ka filluar prostitucionin. Pazari ishte 5 mijë lekë për çdo klient. Ushtrimin e prostitucionit, ajo e bënte në hotelet e ndodhura përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, ku e pandehura ka shfrytëzuar njohjen e saj, prej më se dy vjetësh me Ismail Laskun, i cili me mjetin e tij personal, e ka transportuar për në destinacion. Pasi Benereta dërgohej në hotel me automjet, ajo priste klientët e dërguar nga Valbona, me të cilët ngjiteshin në dhomë, ku kryenin marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës së caktuar më parë nga Valbona Kazanxhi. Ndërkohë, Ismail Lasku, i cili kishte dijeni të plotë për veprimet dhe sjelljen e të pandehurës, qëndronte në pritje poshtë hotelit. Kjo gjendje ka vazhduar për një kohë për rreth tre javë, deri në ditën e bërjes së kallëzimit nga kjo e dëmtuar. Po kështu ka ndodhur edhe me Elona D. Ajo ka qëndruar në një banesë tek Rruga e Burgut, Tiranë, për rreth një vit, ku e dëmtuara ushtronte prostitucion, me klientët që ia gjente e pandehura. Elona dërgohej në hotel tek klientët, me mjetin e Ismail Laskut. Fillimisht e dëmtuara e ka njohur të pandehurën me emrin Alma, siç i ishte prezantuar dhe më pas ka mësuar emrin e vërtetë të saj. Pazaret, sipas kësaj të dëmtuare, bëheshin nga ajo vetë ose nga e pandehura, të cilat varionin nga 5 mijë l deri në 10 mijë lekë të reja. Pas një kohe të gjatë që ka ushtruar prostitucion, me klientët që i gjente vetë ose që ia gjente Valbona, e dëmtuara ka vendosur të bëjë kallëzim. Në atë kohë, Lasku u arrestua, por ajo arriti të largohet drejt Italisë.
#