Diploma e juristit, me firmë dekani të falsifikuar
Të arrestuarit e operacionit “Juristi” kanë falsifikuar firmën e dekanit në diplomat e Juridikut. Burime nga organi i akuzës thanë për gazetën “Shqip” se janë vërtetuar në tri raste falsifikimet dhe se është zbardhur mekanizimi i “fabrikimit” të diplomave dhe listës së notave. Hetuesit vërtetuan edhe numrat e Amzës të diplomave të sekuestruara, të cilat rezultojnë të jenë false. Ky fakt përjashton nga përgjegjësia sekretarinë e Fakultetit të Drejtësisë apo dhe të fakulteteve të tjerë të universiteteve publikë.
Nga hetimet rezulton se Medat Kasa është personi kryesor i grupit dhe se është pikërisht ky që iu premtonte shtetasve të ndryshëm diploma të të gjitha fakulteteve shtetërore dhe private si: Juridik, Ekonomik, Bujqësor etj. Sipas prokurorisë, Anai Muça dhe Fadil Gurri, gjenin persona dhe iu mbushnin mendjen atyre duke iu thënë se Medat Kasa i bënte të gjitha. Përkthyesi Adriatik Koçi, rezulton të mos jetë i përfshirë aq sa të tjerët në këtë aktivitet të paligjshëm. Duke iu referuar grupit hetimor, Medat Kasa iu premtonte personave të ndryshëm diploma kundrejt 7 mijë eurove. Kanë qenë dy kallëzime në prokurori ato që hedhin dritë mbi aktivitetin e këtyre shtetasve, raste këto të ndjekura nga prokurori Valentin Preçi. Në një nga rastet, denoncuesi mësohet të ketë takuar Kasën, i cili i ka thënë se i ofronte diploma origjinale. Kallëzuesi ka kërkuar prej tij diplomën e Fakultetit të Drejtësisë. Këtu kanë filluar të gjitha procedurat e përgjimit, vëzhgimit të personave të dyshuar se ishin përfshirë në këtë rrjet kriminal. Sipas akuzës, në fillim depozitoheshin në një llogari bankare 7 mijë eurot dhe më pas fillonte përgatitja e diplomës. Uniformat blu ndërhynë në momentin e dorëzimit të diplomës dhe listës së notave dhe më pas kanë vënë në pranga 4 shtetas të dyshuar se kryenin aktivitetin e jashtëligjshëm. Nga verifikimi i kryer nga ekspertët në Fakultetin e Drejtësisë ka rezultuar se diploma e sekuestruar ishte false dhe me numër Amze fiktiv. Nga provat e grumbulluara hetuesit kanë arritur në përfundimin se të arrestuarit kanë falsifikuar firmën e dekanit në diplomat false të Juridikut.
Tri ditë më parë, pas operacionit të koduar “Juristi”, policia arrestoi katër persona për diplomat false të Fakultetit të Drejtësisë. Sipas të dhënave zyrtare, në pranga përfunduan Medat Kasa, 54 vjeç, dhe Anai Muça, 46 vjeç, të cilët mendohet se ishin sekserët për gjetjen e personave të interesuar për diploma dhe që komunikonin me stafin e fakultetit. Veç tyre u arrestua Fadil Gurri, 43 vjeç, me profesion tregtar dhe Adriatik Koçi, 45 vjeç, me profesion përkthyes në disa gjuhë të huaja. Sipas policisë, dy personat e fundit mendohet se merreshin me sigurimin dhe plotësimin e diplomave dhe listave të notave. Policia tha se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, si dhe me të tjerë, bënin sigurimin e diplomave të Fakultetit të Drejtësisë kundrejt përfitimit të shumës prej 7000 eurosh. Nga hetimet e kryera nga ky seksion ka rezultuar se ata e kryenin këtë aktivitetet, duke i depozituar këtë shumë eurosh, paraprakisht në filiale të ndryshme të bankave në Tiranë, si garanci për përgatitjen dhe dorëzimin e diplomës, afat i cili zgjaste rreth 2 muaj. Policia deklaroi zyrtarisht se po punohej për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet.
#