E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thesari i shtetit, roje për paratë e OSSH-së

Gjirokastër Njësitë vendore nuk marrin dot para pa shlyer faturat e energjisë së ujësjellësve

Komunat dhe bashkitë që nuk likuidojnë detyrimet ndaj drejtorive të ujësjellësit të qyteteve dhe zonave rurale në Qarkun e Gjirokastrës, do të penalizohen dhe nuk do të lejohen të kryejnë veprime financiare ndaj subjekteve të tjera, nëse fillimisht nuk shlyejnë borxhet që kanë ndaj këtyre ndërmarrjeve me të cilat janë përgjithësisht në marrëdhënie aksionere.

Burime nga zyra e shërbimeve në Prefekturën e Gjirokastrës bënë të ditur se, me afrimin e stinës së thatë, niveli i prurjeve në veprat e marrjes së ujit të pijshëm ka nisur të bjerë në mënyrë të ndjeshme dhe kjo situatë kërkon shpenzime më të mëdha për furnizimin me ujë të konsumatorëve, sidomos në disa komuna të luginës së Drinos.

“Përdorimi i presionit për bllokimin e fondeve financiare që bashkitë dhe komunat i realizojnë nëpërmjet degës së thesarit, diktohet nga nevoja për të likuiduar borxhet e mbartura nga muajt dhe vitet e kaluara të këtyre ndërmarrjeve aksionere ndaj OSSH-së. Nëse nuk do të veprohej kështu, atëherë OSSH mund të ndërpresë furnizimin me energji elektrike, gjë që do të shoqërohej me ndërprerjen e plotë të furnizimit me ujë të pijshëm për konsumatorët”, tha për “Shqip” kryetari i Komunës së Lunxhërisë, Ilia Kuro.

Ndërsa kryetari i Komunës së Antigonesë, Ylli Muho, thotë se rreth një muaj më parë, me një urdhër të Ministrisë së Financave, është bërë e ditur se nuk do të lejohet që të kryhet asnjë veprim financiar nëpërmjet degës së thesarit, nëse nuk likuidohen më parë detyrimet ndaj ndërmarrjes së ujësjellësit. “Tre fshatra të komunës sonë furnizohen me ujë të pijshëm nga ujësjellësi i Saraqinishtës. Nga këtu furnizohet me ujë të pijshëm një pjesë e mirë e qytetit dhe detyrimet tona të mbartura nuk kanë qenë në shuma të mëdha, duke na dhënë mundësi për të kryer likuidimin në kohë të detyrimeve”, tha Muho.

Ndërkaq, burime nga zyra e degës së thesarit në Gjirokastër bëhet e ditur se pas urdhrit të Ministrisë së Financave, shumica e komunave dhe bashkive që kanë paraqitur aplikime për kryerjen e likuidimeve nëpërmjet thesarit, kanë paraqitur më parë aplikimet për kontributet dhe detyrimet ndaj ndërmarrjeve të ujësjellësit dhe për këtë shkak nuk ka pasur bllokim të fondeve të shpenzimeve dhe investimeve. “Sidoqoftë, dega e zyrës së thesarit është në monitorim të situatës për të moslejuar shkeljen e urdhrit të Ministrisë së Financave për këto lloj detyrimesh, që mund të sjellin pasoja për furnizimin me energji elektrike të depove dhe stacioneve të elektropompave në pikat e marrjes së ujit të pijshëm”, tha për “Shqip” përgjegjësja e kësaj dege, R.Kokona.

Ndërsa burime të zyrës së shërbimeve në prefekturë thanë se krahas ndjekjes së situatës për likuidimin në kohë të detyrimeve të komunave, janë zhvilluar bisedime me drejtuesit e OSSH-së, që për disa komuna që kanë borxhe më të mëdha të krijuara në vite, t’u jepet mundësia që ato të likuidohen me këste, duke mundësuar furnizimin e pandërprerë me ujë të banorëve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›