Sherr me armë në Yrshek, plagosen dy të rinj vendas
Pija nuk i ka kufizuar më disa të rinj në fshatin Yrshek, të cilët kanë marrë armët dhe janë zënë mes tyre. Nga përleshja kanë mbetur të plagosur dy persona, ndërkohë që Policia e Tiranës ka vënë në pranga autorin e dyshuar të ngjarjes. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se gjatë orëve të vona të natës specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit dhe shërbimet e Komisariatit Nr. 6, realizuan arrestimin e Erjol Rakip Hajdarit, 19 vjeç, banues në Kashar. Ky person, rreth orës 22.00 të së enjtes, në fshatin Yrshek dyshohet se pas një grindjeje për motive të dobëta, në bashkëpunim edhe me një bashkëmoshatarin e tij, ka plagosur me mjete të forta si dhe kanosur me armë zjarri, Martin Fejzulla Elezin, 24 vjeç dhe Fatri Kurtish Osmanllarin, 21 vjeç, banues në Yrshek. Sipas të dhënave policore, ngjarja ka nisur nga një sherr banal në lokal dhe Hajdari ka nxjerrë një pistoletë, duke kërcënuar dy të dëmtuarit. Me qytën e armës i ka goditur ata në fytyrë dhe kokë, duke u shkaktuar plagë. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprës penale të “plagosjes së lehtë më dashje” dhe “trafikim të armëve dhe municioneve.
#