E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet ish i dyshuari si anëtar i bandës së Zanit

Skerdian Bajrami kërkohej për mashtrim dhe për bllokim rrugësh

Një ish i akuzuar si anëtar i bandës së Zani çaushit është arrestuar dje, pasi rezultonte person në kërkim për mashtrim dhe ishte shfaqur në protestat e muajit maj të organizuara nga Partia Socialiste. Skerdian Bajrami u kap në një banesë në Kamzë, ndërkohë që akuzohet edhe për bllokimin e rrugës tek “Ura e Farkës” gjatë protestave. Burimet policore të kryeqytetit thanë se arrestimi i tij u bë nga shërbimet e Komisariatit Nr. 5, në bashkëpunim me Forcat e Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Qarkut Tiranë. 33-vjeçari u kap në banesën e tij në Kamzë. Ndaj tij, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të datës 2 shkurt 2009, e ka dënuar me 5 vjet burgim, për mashtrim. Gjykimi i tij është bërë në procesin ndaj bandës së Myrteza çaushit. Ndërkohë, përveç ekzekutimit të vendimit të mësipërm, në ngarkim të Bajramit do të dërgohen materialet shtesë në Prokurorinë e Tiranës, si një nga personat që ka kryer veprime aktive në bllokimin e rrugës në vendin e quajtur “Ura e Farkës” në Tiranë dhe në kundërshtim të Punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët ndërhynë për hapjen e rrugës së datës 11 maj 2010.

Gjatë gjyqit për bandën e Zanit të Vlorës, Skerdian Bajrami u akuza për një sërë veprash të rënda penale, që nga vrasjet e deri te grabitjet me armë. Madje, prokurori kërkoi ndaj tij deklarimin fajtor për vrasjen ndaj Neritan dhe Edmond Dednikës. Veç vrasjes së tyre, prokuroria kërkoi edhe dënim për grabitje me armë dhe vjedhje. Gjithashtu, akuza e fundit e ngritur ndaj tij ishte edhe ajo e krijimit të bandës së armatosur dhe organizatës kriminale, në formën e pjesëmarrjes. Megjithatë, gjatë shqyrtimit gjyqësor, këto akuza ranë poshtë dhe ai u dënua vetëm për mashtrim. Sipas dosjes penale, Skerdian Bajrami u shpall fajtor për veprën penale të mashtrimit në bashkëpunim me shtetasin Hazis Leka, anëtar bandës së Zanit. Ndërkaq, ai u shpall i pafajshëm për vrasjen e Edmond dhe Neritan Dednikës dhe u përjashtua si anëtar i bandës. Atij iu pushuan edhe akuzat për vjedhje të ndryshme.

E vetmja akuzë që mbeti në fuqi për të kishte të bënte me mashtrimin që i kishte bërë një qytetari në Vlorë për vjedhjen e makinës. Sipas të dhënave nga dosja penale, dëshmitari Hazis Leka ka shpjeguar se në maj të vitit 1997, djali i kishte sjellë një autoveturë tip “Lançia”, të cilën e mbante në oborr. “Në atë kohë erdhën disa persona, midis të tjerëve Pëllumb Bajrami, vëllai i Skerdianit. Ata i thanë djalit tim se na duhet makina se do të marrim një nuse në Tiranë. Djali i dha çelësat dhe dokumentet. Pas tri ditësh shkova tek Pëllumbi për të kërkuar makinën, ai më tha se do ta kthej”, ka deklaruar në dëshminë e tij Hazis Leka. Ndërsa Ali Koni, i cili ka pasur në atë kohë një varrezë makinash, ka shpjeguar se atë makinë ia kishte shitur Skerdian Bajrami. Sipas tij, në verë të vitit 1997, aty kishte shkuar i arrestuari i djeshëm, i cili kishte përplasur makinën me dokumente italiane. Pasi ka parë makinën, e cila ishte jashtë përdorimit, ia ka blerë 80 mijë lekë të reja, me qëllim për të përdorur dokumentet. Pas tre muajsh ka kuptuar se çfarë kishte ndodhur dhe makinën e kishte sekuestruar policia. Kështu, gjykata e ka shpallur fajtor Bajramin vetëm për mashtrimin e kryer ndaj Lekës, në bashkëpunim me vëllanë e tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›