E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e parë e shkollës, 650 mijë nxënës ulen në banka

Një mëngjes plot me ngjyra, me zëra fëmijësh, me puthje dhe përqafime, por edhe me shumë emocione. Dje, në rrugët e kryeqytetit, trafiku është bllokuar kryesisht më pranë shkollave, gjimnazeve apo në vendet ku kalonin fëmijët. Probleme ka pasur edhe me trafikun "njerëzor". Edhe trotuaret kanë qenë të mbushura plot, ku fëmijët të kapur për dore nga prindërit kanë rendur për të gjetur klasën, mësuesen, bankën ku do të ulen për një vit me radhë. Veshje plot ngjyra, modele flokësh të kapura me karfica, fjongo, kapëse, rrathë me ngjyra, fustane me flutura, xixa, lule e vajza që dukeshin si "mafishe".

Në ditën e parë të shkollës, prindërit ose kanë shkuar me vonesë në punë, ose kanë marrë leje, vetëm e vetëm për të çuar fëmijët e klasave të fillores në shkollë. Edhe pse kanë qenë të shoqëruar nga prindërit, përsëri, emocionet e fëmijëve që shkuan dje për herë të parë në shkollë kanë bërë që zemrat të rrihnin fort, për këtë hap të rëndësishëm. Kjo ditë do të mbahet mend e do të vendoset në albumin e fotografive si një nga ngjarjet më të bukura dhe të rëndësishme në jetë.

Dita e parë

Dje, në ditën e parë të çeljes së vitit shkollor, Ministria e Arsimit ka njoftuar se numri zyrtar i nxënësve të arsimit parauniversitar, të cilët janë ulur në bankë, është 650 mijë.

Rreth 50 mijë janë vetëm vogëlushë që janë ulur në bankat e klasës së parë. Kjo është edhe kategoria që e ka përjetuar më bukur ditën e parë të shkollës, duke treguar te të afërmit për bisedën me mësuesen, për shokun e bankës, i cili qante se donte mamin, apo për ambientin që do t‘i rrethojë për nëntë muajt e ardhshëm. Ashtu siç është edhe rregulli, nxënësit janë rreshtuar sipas klasave dhe me radhë, me mësuesen në krye, janë futur në klasë për të nisur orën e parë të mësimit. Foto me mësueset, me prindërit, me gjyshërit, me shokët dhe shoqet. Foto me fustanin dhe rrobat e reja, me këpucët dhe çantat me personazhet më të dashur të filmave multiplikativë.

Klasat fillore

Zilja që bie çdo 45 minuta për të njoftuar mbarimin e një ore dhe fillimin e orës tjetër, njoftuesja për pushimin e shkurtër dhe pushimet e gjata, por edhe zhurma që ajo bën, ishte një nga risitë që kanë zbuluar klasat e para. Tringëllima e saj i ka bërë të buzëqeshin, madje edhe të kujtohen se në këtë fazë të jetës do t‘u duhet të bëjnë më pak teka, sepse ka disa rregulla që duhen respektuar. Në siklet kanë qenë të gjithë ata që nuk kanë ditur ende të lexojnë orën e dorës apo të murit, pasi ende nuk ia kanë marrë dorën këtij "mësimi". Më të çliruar kanë qenë ata me orën elektronike në dorë, pasi informacioni jepet i shpejtë për të gjithë ata që pyesin: "Sa është ora?".

Në listën e fjalimeve për urimin e ditës së parë të shkollës, pas ministrit të Arsimit, janë renditur edhe urimet e Presidentit të vendit, Bamir Topi, si dhe Kryeministrit Sali Berisha.

Sakaq, pa dashur të prishim atmosferën e gëzuar të kësaj dite, për të gjithë fëmijët, një problem i evidentuar edhe në ditën e parë të shkollës, kanë qenë mungesa e librave. Një pjesë e librave nuk kanë qenë gati dhe ende nuk janë blerë, pavarësisht se sot zyrtarisht mbaron festa e çeljes së vitit akademik dhe nisin orët normale të mësimit. Një tjetër problem mbeten klasat e mbingarkuara me shumë nxënës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›