Bllokohet në fshatin Dobraç projekti i bypass-it të Shkodrës

Protesta e banorëve në Dobraç
SHKODER – Projekti i ndërtimit të bypass-it ka qenë sërish objekt i protestës së banorëve në rrethin e Shkodrës. Kanë qenë banorët e fshatit Dobraç të komunës Rrethina, të cilët kanë reaguar në lidhje me vazhdimin e punimeve për këtë objekt. Sipas banorëve, nuk është normale që të fillojnë punimet, ndërsa ata nuk kanë asnjë informacion mbi projektin, nga do të kalojë, kush preket, kush do të shpronësohet, sa do të jetë vlera apo elementë të tjerë. Në lidhje me ecurinë e punimeve në këtë objekt ka reaguar edhe Inspektorati Ndërtimor i komunës Rrethina, i cili ka pohuar se ndërtimi është krejtësisht i paligjshëm. Sipas vetë banorëve të këtij fshati, projekti është devijuar dhe ka pësuar ndryshime, rreth 3 herë, sipas interesave të ndryshme. Rrok Demaj, kreu i Inspektoratit lokal Ndërtimor ka pohuar se kjo komunë nuk ka marrë akoma asnjë njoftim në lidhje me ecurinë e punimeve në këtë vepër. Deri më sot ne nuk kemi asnjë njoftim nga firma zbatuese e punimeve, nuk është vendosur tabela e punimeve, e cila është detyrim ligjor, nuk janë bërë njoftimet e banorëve që preken nga ky ndërtim për të filluar nga puna për hartimin e dokumenteve të duhura për shpronësim etj. Banorët e lagjes Dobraç në komunën Rrethina të Shkodrës të cilët kanë dalë në një protestë paqësore, i kanë kërkuar që firmës që të ndërpresë punimet nga ku kalon bypass-i i qytetit, pasi banorët në pronat e të cilëve kalon ky ndërtim nuk janë përfshirë në skemën e dëmshpërblimit. Ndërkohë që më tej banorët janë shprehur se ata nuk janë kundër ndërtimit të bypass-it, por ato duan që në radhë të parë tu vlerësohet pasuria e tyre, të kompensohen, dhe kompensimi të mos jetë me para, por të bëhet me tokë, sepse toka është i vetmi burim jetese për ta. Në vend kanë mbërritur dhe forca të policisë së Shkodrës për të lejuar vazhdimin e punimeve, por nuk kanë arritur të bindin banorët e zonës. Ata kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave në zonën kufi mes qytetit të Shkodrës dhe komunës Rrethina. r.d