E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet banda italo-shqiptare, trafikonte drogë e klandestinë

Pesë shqiptarë kanë përfunduar në pranga nga policia italiane në kuadër të operacionit "Ura e Shqiponjës" në shtetin fqinj. Shqiptarët akuzohen për trafikim lëndësh narkotike e klandestinësh. Mësohet se droga e llojit marijuanë, në sasi të mëdha, transportohej nga Shqipëria në Itali përmes gomoneve të mbushura me klandestinë gjatë viteve 2005-2006. Dyshohet se kreu i bandës është Hamdi Budani, i cili ka mundur t‘i shpëtojë arrestimit së bashku me dy shqiptarë të tjerë.

Hetimet e drejtuara nga Prokuroria e Leçes kanë nisur që në vitin 2002 dhe 7 vitet e kanë lejuar grupin e punës të njohë në thellësi aktivitetin ilegal të trafikut të drogës dhe të trafikut të qenieve njerëzore. Sipas të dhënave nga policia italiane, mësohet shefi i organizatës së trafikantëve të drogës dhe klandestinëve, që operonte nga Shqipëria në drejtim të Italisë, ishte Hamdi Budani, i cili ende nuk është shtuar në listën e të arrestuarve. Ndërsa shqiptarët e tjerë të arrestuar dhe që tashmë ndodhen në qeli, ishin rezidentë në Brindisi dhe në disa zona të tjera të Italisë, kryesisht në Novara dhe Rimini, ku zakonisht vinte droga e trafikuar. Në lidhje me të arrestuarit, policia italiane bëri me dije se ata janë Aleksandër Toshi, Hektor Cani, Sabin Braho, Arian Gorica dhe Eriselda Selimaj. Veç tyre, gjatë operacionit të djeshëm, të koduar "Ura e Shqiponjës" u arrestua edhe i vetmi italian Vito Sicilia. Shtetasit e tjerë italianë të implikuar në hetime, janë arrestuar kohë më parë, pasi kanë rezultuar të përfshirë në vepra të tjera penale.

Më tej, policia italiane shpjegoi në një konferencë për shtyp se veç Budanit, kanë arritur deri më sot që të shpëtojnë nga arrestimi edhe dy shqiptarë të tjerë, të identifikuar si Alban Gamberi dhe Gertian Zaho. Të gjithë janë të akuzuar se kanë futur në mënyrë të jashtëligjshme në territorin italian qindra kilogramë lëndësh narkotike. Madje, në këto rrugë ku trafikohej droga, ata kalonin edhe klandestinë. Sipas hetimeve të kryera prej shtatë vitesh, gomonet zbarkonin në zonën e Ceranos. Ndërsa nga përgjimet telefonike që atyre u janë bërë, ka rezultuar se droga merrej në Durrës me një çmim prej 500 eurosh për kilogram, ndërkohë që më tej shpërndahej në të gjithë territorin italian, sidomos në Novara, Milano, Romë, Peskara dhe Rimini.

Hetimet më të shumta janë bërë që në kohën kur u arrestuan dy vëllezërit Gertian e Bledar Qarri, të cilët janë kapur pikërisht në vitin 2006. Nga dosja penale mësohet se ata janë kapur me një ngarkesë droge, teksa po e zbarkonin në korridorin e 16-të, bashkë me 14 klandestinë, si gjithmonë në zonën e Ceranos. Operacioni i bujshëm i policisë italiane është bërë publik në një konferencë për shtyp në prezencë të prokurorit të antimafies, Cataldo Motta. Sipas policisë italiane, e gjithë droga e trafikuar, e llojit kanabis, prodhohej në vendin e shqipeve dhe e destinuar për tregun e shtetit fqinj.

Veç të arrestuarve të djeshëm, një tjetër operacion është zhvilluar në Peskara, ku janë arrestuar 11 persona të tjerë. Policia italiane bëri të ditur se ka dërguar në qeli 11 persona që dyshohen për trafik të lëndëve narkotike. Sipas të dhënave, nëntë prej tyre janë italianë, ndërsa dy persona janë shqiptarë. Dy shqiptarët e arrestuar janë Besmir Korra dhe Martin Hexhi. Por nga ky operacion kanë shpëtuar dy personave të tjerë, ku njëri është shqiptar. Banda operonte në Peskara. Sekuestrim i fundit i lëndës narkotike ishte në masën 50 gramë kokainë dhe 150 hashash. Por, në dy vitet e fundit janë sekuestruar nga kjo bandë rreth 51 kg heroinë, 3.5 kg kokainë dhe 5 kg hashash.

Itali

Operacioni i koduar

"Ura e Shqiponjës"

Kreu i bandës

Hamdi Budani

Të arrestuar

Aleksandër Toshi

Hektor Cani

Sabin Braho

Arian Gorica

Eriselda Selimaj

Vito Sicilia, italian

Të arrestuar

në vitin 2006

Gertian Qarri

Bledar Qarri

Në kërkim

Hamdi Budani

Alban Gamberi

Gertian Zaho



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›