E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshoi dëshminë, pranga adoleshentes

Jep dëshmi të rreme, prangoset në sallën e gjyqit një 16-vjeçare nga rrethi i Fierit. Burimet zyrtare të policisë së Fierit bëjnë të ditur se kanë prangosur Xh. Agollin, 16 vjeçe, lindur dhe banuese në fshatin Rreth Libofshë të Komunës Libofshë, 12 km larg qytetit të Fierit. Arrestimi i adoleshentes është bërë me akuzën për "dëshmi të rreme". Të njëjtat burime bëjnë të ditur se vajza 16-vjeçare është prangosur në sallën e gjyqit, menjëherë pas dhënies së dëshmisë, që rezultoi të ishte e ndryshme nga ajo që vajza kishte dhënë më parë përpara oficerëve të policisë gjyqësore.

Mësohet se Agolli ishte thirrur si dëshmitare në gjyqin e 18-vjeçarit Mikel Resuli, i cili akuzohet për veprën penale të "rrëmbimit të personit". Për këtë proces 16-vjeçarja kishte dalë dëshmitare dhe sipas policisë ka dhënë dëshmi të rreme në interes të të tjerëve.

Ditën e mërkurë, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier, është zhvilluar seanca e radhës në ngarkim të shtetasit Mikel Resuli. Trupi gjykues kryesohej nga gjyqtari Alfred Konomi, ndërkohë që organi i akuzës përfaqësohej nga prokurori Shkëlqim Sinaj.

Gjykimi ndaj Resulit ka nisur qysh nga muaji dhjetor i vitit të kaluar, ndërkohë që në seancat e fundit, gjyqtari dhe prokurori kanë vendosur që gjykimi të vijonte me pyetjen e dëshmitarëve të çështjes.

Një prej personave të thirrur për të dëshmuar rreth ngjarjes ka qenë edhe Xh. Agolli. Kjo e fundit në fazën e hetimit kishte pohuar për prokurorin se ishte në dijeni të rrëmbimit që Resuli kishte kryer në tetor të vitit 2008. Sipas adoleshentes, djali kishte marrë me forcë një shoqen e saj. Madje, Xh.Agolli kishte ripohuar përpara prokurorit të çështjes në periudhën e hetimit se kishte qenë e pranishme në momentin që shoqja e saj ishte rrëmbyer.

Por, në bazë të provave të tjera që policia dhe grupi i hetimit ka siguruar për këtë ngjarje, është konstatuar se 16-vjeçarja jo vetëm që nuk ka qenë e pranishme, por edhe deklarata e saj është përpunuar nga personi që pretendon se është rrëmbyer.

Kur në sallën e gjyqit është përballur me faktet dhe provat e siguruara nga organi i akuzës, adoleshentja ka ndryshuar dëshminë.

Seanca gjyqësore është ndërprerë për pak minuta dhe më pas, Agollit i është kërkuar të mos largohet nga salla e gjyqit dhe është lënë në vëzhgim të policisë për pak minuta. Për të është prerë urdhri i arrestit dhe mësohet se pas rifillimit të seancës gjyqësore ajo është prangosur. Xh. Agolli, me arsim 8 klasë do të gjykohet për dëshmi të rreme, ndërkohë që gjykata pritet të marrë shpejt një vendim, nëse do ta mbajë atë të mbyllur në qeli gjatë kohës së hetimit, apo do ta lërë në gjendje të lirë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›