E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet me armë, ndalohet i penduari i Bandës së Aldo Bares

Shënohet incidenti i radhës i fushatës elektorale. Vetëm dy ditë, nga mbyllja e fushatës zgjedhore, një përplasje për posterat e partive ka ndodhur ditën e mërkurë, në qytetin e Lushnjës. Policia bashkiake e këtij qyteti e ndjekur edhe nga shumë simpatizantë të Partisë Socialiste ka tentuar të largojë nga dekori i qytetit disa nga posterat e Partisë Demokratike, duke ngjallur irritimin e simpatizantëve të selisë blu. I përfshirë në incident ka qenë dhe një nga dëshmitarët e shumë të përfolurës Bandë të Aldo Bares.

Dëshmitari

Bëhet fjalë për Arben Kicën, i cili mbrohet nga drejtësia shqiptare, si i penduar dhe dëshmitar kyç i procesit ndaj bandës së Aldo Bares. Kica ka qenë në automjetin e tij dhe nuk ka dashur të respektojë shiritin e bllokimit të qarkullimit në qendër të qytetit, pasi aty do të zhvillohej një takim i Partisë Socialiste. Kica, duke tentuar të këpusë shiritin është ndalur nga uniformat blu të policisë së rendit, si dhe ato të policisë bashkiake. Burimet nga vendi i ngjarjes tregojnë se Kica jo vetëm që ka kundërshtuar, por ka sharë dhe ka qëlluar punonjësit e policisë. Kjo i ka detyruar uniformat blu ta ndalojnë dhe më pas ai i është nënshtruar kontrollit fizik dhe të automjetit që drejtonte. Në këtë fundit mësohet se është gjetur një armë zjarri, pistoletë. Pas konstatimit të armës, policia ka marrë Arben Kicën dhe e ka shoqëruar për në mjediset e komisariatit. Sipas kreut të krimeve të Komisariatit të Lushnjës, Gramoz Traga, mësohet se "Policia dhe prokuroria është duke sqaruar praninë e armës së zjarrit në makinën e dëshmitarit të mbrojtur nga drejtësia, Arben Kica". Burime të tjera policore tregojnë se do të jetë organi i akuzës, si dhe Ministria e Drejtësisë që i ka dhënë statusin e të penduarit Arben Kicës, ajo që do të vendosë për prangosjen apo jo të tij.

Sherri për posterat

Ndërkohë, mësohet se largimi i posterave të Partisë Demokratike nga sheshi është bërë për arsye se pasditen e së mërkurës, në qytetin e Lushnjës do të zhvillonte takimin përmbyllës të fushatës elektorale kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Por, "aksioni" i heqjes së posterave të PD-së dhe zëvendësimi i tyre me ato të PS-së është shoqëruar me përplasje mes grupeve mbështetëse të dy partive kryesore politike. Mësohet se përleshja ka zgjatur disa minuta dhe si pasojë e saj kanë marrë plagë të lehta disa nga aktivistët e dy palëve. Menjëherë është njoftuar policia lokale, e cila ka mundur që të parandalojë acarimin e situatës. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier pohojnë për "Shqip" se në mjediset e policisë janë shoqëruar disa nga pjesëmarrësit në këtë përplasje. "Kemi shoqëruar edhe nga mbështetësit e majtë dhe nga ata të së djathtës dhe do të jetë prokuroria ajo që do të vendosë nëse do të nisë procedim penal për ndonjërin prej tyre", ka thënë për gazetën drejtori i policisë së Qarkut të Fierit, Shemsi Premçi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›