Kavajë, aksidentohet me vdekje një 50-vjeçare
Një grua ka mbetur e vdekur nga një aksident rrugor, ndërkohë që policia ka arrestuar autorin. Burimet policore bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur në Kavajë dhe policia e këtij qyteti bëri arrestimin e Mirand Biskut, 36 vjeç, lindur në Ballej, komuna Gosë dhe banues në Durrës. Sipas policisë, arrestimi i tij u krye, sepse duke qarkulluar në superstradën Kavajë-Rrogozhinë, me automjetin kamionçinë tip "Iveco", me targa CP 467 YP, ka humbur kontrollin e drejtimit dhe për pasojë ka aksidentuar me vdekje një këmbësore, rreth moshës 45-50 vjeçe, e cila ende nuk është identifikuar. Në vendin e ngjarjes u kryen të gjitha veprimet procedurale nga ekspertët dhe grupi hetimor, ndërsa materialet do t‘i kalojnë Prokurorisë së Kavajës, për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".