E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bllokohet ngritja e KZZ-ve

19/03/2005  Asnjë parti politike nuk ka plotësuar detyrimin ligjor

Vazhdon të jetë e bllokuar puna në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për emërimin e anëtarëve të komisioneve zonale zgjedhore. Shkak për këtë bllokim janë bërë partitë politike të vendit, të cilat, edhe pse nuk ka kaluar afati i sjelljes së propozimeve të emrave për aëntarë të KZZ-së prej më shumë se dy javë, ende nuk kanë depozituar asnjë emër. Gjashtë subjektet politike, të cilat, sipas Kodit të ri zgjedhor, kanë të drejtën të kenë përafaqësuesit e tyre në KZZ, nuk kanë sjellë asnjë emër, për shkak se nuk kanë përcaktuar listën e kandidatëve për deputetë. Sipas Kodit Zgjedhor, KZZ-ja përbëhet nga shtatë anëtarë dhe sekretari. Formula, me anë të së cilës do të përbëhen KZZ-të, është: një anëtar propozohet nga partia kryesore e shumicës parlamentare, një anëtar propozohet nga partia kryesore e opozitës parlamentare, dy anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e dytë dhe e tretë e shumicës parlamentare dhe dy anëtarë propozohen përkatësisht nga partia e dytë dhe e tretë e opozitës parlamentare. Pra, këtë të drejtë e ka PS, PSD dhe PBDNJ nga mazhoranca dhe PD, PDR dhe PR nga opozita. Anëtari i shtatë propozohet në gjysmën e KZZ-ve nga partia kryesore e shumicës parlamentare, kurse në gjysmën tjetër nga partia kryesore e opozitës. Përcaktimi i listës së kandidatëve për deputetë të partive politike është i vetmi justifikim që subjektet kanë nxjerrë, pasi janë kontaktuar nga "Metropol". Sipas tyre, do të jetë kandidati i partisë, ai që do të përzgjedhë dhe përfaqësuesit e partisë në KZZ, duke vënë kështu njerëzit e tij më të besuar. Ndërkohë, dje, gjatë një konference për shtypin, Partia Demokratike ka ngritur shqetësimin mbi funksionimin e Kolegjit Zgjedhor, i cili është organi më i lartë vendimmarrës për problemet që lindin nga procesi zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›