E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zbardhen 7 përplasjet e Tiranës

18/03/2005  Partia Demokratike vendos figurat që do të konkurrojnë përballë kandidatëve socialistë në kryeqytet

Selia blu do të paraqitet me kandidatët që fituan në vitin 2001

Dy partitë kryesore, PD dhe PS, kanë nisur të vendosin figurat në kutinë e lojës elektorale, që do të zhvillohet në Tiranë. Emrat e prezantuar si kandidatura nga kryetari i PS-së, Nano, kanë bërë që opozita të kundërpërgjigjet në kryeqytet me figurat, që kanë dalë fituese në zgjedhjet e shkuara. Bamir Topi, Shaban Memia, Spartak Ngjela etj., pas ndryshimit të zonave elektorale, parashikohet të futen sërish në garën e kryeqytetit. Burime në PD shprehen se nga skema e kandidimit nuk përjashtohen as anëtarët e KOP, por, sidoqoftë, deri më tani nga ky forum më shumë i diskutuar është emri i dekanit të Shkencave Sociale, Ylli Pango, që pritet kandidojë në njësinë bashkiake 2, përballë socialistit Anastas Angjeli.

Përballjet

Të njëjtat burime shprehen se për vetë specifikën që ka kryeqyteti dhe luftën e ashpër që zhvillohet në të, për shkak të numrit të madh të zgjedhësve, është menduar që në garë të futen njerëz që e njohin terrenin. Kështu, Spartak Ngjela ka lënë zonën, nga ku është zgjedhur deputet katër vjet më parë dhe pritet të kandidojë në zonën e ish-bllokut, njësia numër 5, përballë deputetit socialist, Musa Ulqini. Ndryshim të zonës elektorale do të ketë dhe deputeti Shaban Memia, i cili parashikohet të braktisë zonën e Bathores për të kandiduar në njësinë numër 4, përballë drejtorit aktual të KESH-it, Andis Harasani. Nënkryetari i PD-së, Bamir Topi, do të kandidojë në njësinë 7 përballë Arben Ahmetajt, ndërsa zonën nga ku nënkryetari i PD-së është zgjedhur deputet në legjislaturën parlamentare që po mbaron mendohet se do ta marrë deputeti Edi Paloka që do të konkurrojë në njësinë 1, përballë socialistit Spartak Poçi. Ndërsa ka mbetur i palëvizur nga zona e tij elektorale, në njësinë bashkiake numër 8, deputeti Besnik Mustafaj, që në zgjedhjet e ardhshme do të ketë përballë prefekten aktuale të Tiranës, Mimi Kodheli. Në diskutim janë dhe një sërë zonash të tjera elektorale të Tiranës, ku në një pjesë prej tyre nuk përjashtohet kandidimi i të rikthyerve në PD, Gramoz Pashko, Genc Ruli apo Arben Imami, që pritet të kandidojë në njësinë numër 9, përballë socialistes Ermelinda Meksi. Për rrethinat diskutohen emrat e Bujar Nishanit në Paskuqan dhe Jemin Gjanës në zonën e Bathores.

Rrethet

Për sa u përket anëtarëve të Komitetit të Orientimit të Politikave është parashikuar që këta të fundit në pjesën dërrmuese të kandidojnë në rrethe. Ndërsa vetëm një pakicë e tyre pritet të kandidojnë në kryeqytet. Në diskutim për Tiranën janë Elida Reçi, Florian Mima, Majlinda Bregu, Lulzim Basha etj. Nga akademikët përfliten emrat e Kudret Çelës dhe Dhori Kules, që pritet të kandidojnë në Berat. Gjithsesi, deri më tani, asgjë nuk është e sigurt, pasi për vendosjen e kandidaturave do të priten dhe mendimet e bazës, por edhe lëvizjet e kundërshtarit. Për sa i përket zonave të "forta", siç janë për shembull Skrapari, ku kandidon kreu i LSI-së, Ilir Meta, apo Saranda, ku ka hedhur kandidaturën Kryeministri Nano, mendohet që personat që do të marrin përsipër koston e kandidimit atje të jenë në krye të emrave në listën proporcionalit.

Përballjet

Njësia 1, Edi Paloka – Spartak Poçi

Njësia 2, Ylli Pango – Anastas Angjeli

Njësia 4, Shaban Memia – Andis Harasani

Njësia 5, Spartak Ngjela- Musa Ulqini

Njësia 7, Bamir Topi – Arben Ahmetaj

Njësia 8, Besnik Mustafaj – Mimi Kodheli

Njësia 9, Arben Imami – Ermelinda Meksi

Rrethinat

Bujar Nishani – Paskuqan

Jemin Gjana – Bathore

Berat

Dhori Kule

Kudret Çela

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›