E Hënë, 2 Nëntor 2026

Meta: S'ka bashkëpunime parazgjedhore

19/03/2005  Kryetari i LSI hedh poshtë mundësinë e koalicioneve

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e ka cilësuar bashkëpunimin me partitë e vogla të spektrit të majtë vetëm në kuadër të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor. Sipas tij, "LSI-ja është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha forcat e tjera politike për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, në mënyrë që ai të jetë një proces i ndershëm, demokratik dhe të sjellë stabilitet afatgjatë pas zgjedhjeve të ardhshme. Takimet nuk janë domosdoshmëri, as shprehje të aleancave të bëra apo të synuara, por janë takime normale, shkëmbime mendimesh për probleme të ndryshme të jetës politike në vend". Në këtë mënyrë, Meta ka hedhur poshtë çdo aleancë të mundshme parazgjedhore mes partisë së tij me partitë e tjera politike në vend, veçanërisht me Partinë Socialdemokrate dhe Partinë Demokracia Sociale. Gjithsesi, Meta tha se "do të konkurrojmë të vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare". Ndërkohë që, duke iu referuar zhvillimeve më të fundit në politikën shqiptare, ku dy forcat kryesore kanë filluar garën e përballjes së kandidatëve, Meta tha se "lista e kandidatëve për deputetë të LSI-së të jetë plotësisht superiore, në raport me dy partitë e tjera, pra me PS e PD. Për sa i takon kandidaturave të Tiranës që kemi parë deri tani, si nga PS-ja ashtu edhe nga PD-ja, jam i bindur se kandidaturat që do të paraqesë LSI-ja në kryeqytet do të jenë tërësisht kandidatura superiore dhe fituese në zgjedhjet e ardhshme në kryeqytet", tha Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›