Asambleja e KiE, sot debati për Shqipërinë
Rezoluta
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës pritet të zhvillojë sot seancën e saj, ku do të diskutohet për zhvillimet politike në Shqipëri. Draft-rezoluta me dhjetë pika thekson që në fillim se vendi ndodhet në krizë, për shkak të bojkotit që po i bën opozita Parlamentit. Raportuesit thonë se kjo po dëmton reformat në vend. Asambleja, thuhet në rezolutë, është e gatshme të ofrojë mbështetje për zgjidhjen e krizës. Ajo vlerëson hapat e Presidentit Topi për krizën dhe thotë se një tryezë e rrumbullakët është e nevojshme. Asambleja kërkon që kriza të zgjidhet sa më shpejt, duke i kërkuar qeverisë në veçanti që të ngrejë menjëherë një komision parlamentar për hetimin e zgjedhjeve, ndërsa opozita duhet të kthehet në Kuvend për të marrë pjesë në punimet e tij. Në përfundim rezoluta thekson se do t’i kërkojë Presidentit Topi nëse ka nevojë për asistencë. I kërkohet trupit diplomatik në Shqipëri që të japin sugjerime të mëtejshme dhe theksohet se së shpejti raportuesit do të jenë sërish në Shqipëri.
#