E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radhë në sportele, nuk ka kupona për pasaportat

FIER- Prej pesë ditësh kuponat për dokumente biometrike mungojnë në sportelet e Filialit të Postës shqiptare në Fier. Bëhet fjalë për kuponat e pasaportave biometrike. Ndërsa ekzistojnë me shumicë vetëm kuponat e ashtuquajtur të emergjencës, të cilët kushtojnë 15 000 mijë lekë. Dhjetëra qytetarë që shkojnë në sportelet e Postës shqiptare për të tërhequr e blerë kupona për faturim të pasaportave biometrike, detyrohen të blejnë kupona të shtrenjtë, ose të largohen duarbosh. Qytetarët shprehen se po imponohen të blejnë shtrenjtë, për shkak të kësaj mungese e cila, sipas tyre, është e qëllimshme. “Duke qenë se shumica e qytetarëve kanë faturuar dhe kanë tashmë pasaporta biometrike, duket se firmës prodhuese të pasaportave nuk i intereson që të shesë kupona të thjeshtë, por ata të shtrenjtë, sepse procesi i prodhimit është i njëjtë”, thonë qytetarët të indinjuar përballë sporteleve të postës.

Në ambientet ku faturohen pasaportat nuk ka shumë njerëz në pritje për faturim Kjo për shkak të mungesës së kuponave. Ndërsa sportelistet e Postës shqiptare kanë pohuar se janë të detyruara të reklamojnë produktin që ato kanë, në rastin konkret kuponat e shtrenjtë. “Ne kemi pesë ditë që kemi dërguar kërkesën për furnizim me kupona, por deri më sot firma kontraktuese nuk na ka furnizuar. Në këto kushte i shprehim qytetarit, por pa i imponuar se kemi vetëm fatura emergjence 15 000-lekëshe”, tha njëra prej sportelisteve në Postën shqiptare Fier. Përballë gjendjes së krijuar dhe irritimit të qytetarëve ka reaguar edhe prefekti i qarkut Fier, Bujar Hasa. Ky i fundit tha se ka njoftuar Ministrinë e Brendshme, sektorin përkatës, për këtë defekt dhe vakuum në furnizim të qytetarëve me kupona. Ai shtoi se në ditët në vijim çështja do të zgjidhet, ndërsa hodhi poshtë pretendimet e qytetarëve për shfrytëzim të xhepit të tyre të dobët ekonomik nga ana e firmës prodhuese në rastin e ofrimit prej saj të produktit që ka më shumë fitim ekonomik për atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›