E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet për 5 orë Elbasan-Peqin

 

ELBASAN - Vërtet të pafat kanë qenë dje udhëtarët në aksin rrugor Elbasan-Peqin. Ata janë detyruar të qëndrojnë për afro 5 orë të bllokuar në rrugë nën shoqërinë e temperaturave të larta si pasojë e bllokimit të rrugës nga përmbysja e një kamioni të tonazhit të rëndë. Ka qenë ora 10:00 e paradites ku mjeti me targë EL 0361 C ka rrëshqitur në rrugë dhe është përmbysur në mes të një ure çka ka bërë që të bllokojë cep më cep këtë aks rrugor. Brenda pak minutave vargu i mjeteve që prisnin zhbllokimin e rrugës ka shkuar në afro 2 kilometra, i cili vazhdonte të shtohej në çdo minutë. Pas 2 orësh është bërë i mundur zhbllokimi i njërit aks, ndërsa pas 3 orësh të tjera dhe aksi tjetër. Me fat kanë qenë mjetet tip fuoristradë, të cilët kanë shfrytëzuar një rrugë dytësore, buzë fshatit Paulesh për të vazhduar lëvizjen. Segmenti që u bllokua dhe që kalon nëpërmjet Peqinit shërben si segment që të dërgon në dy portet kryesore të vendit si dhe në tre pikat kufitare atë të Kapshticës, Qafë-Thanës dhe aeroportin e Rinasit. Një familje nga Gramshi mësohet se ka humbur avionin për të udhëtuar drejt Hungarisë.                 a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›