E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet korrekte, sfida jonë

Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaçi dhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Christopher Dell, i ofruan të enjten mbështetje të plotë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në mënyrë që ta menaxhojë sa më mirë procesin e këtyre zgjedhje që, sipas tyre, është sfida e parë e Kosovës së pavarur. Këtë mbështetje ata e rikonfirmuan gjatë një vizite që i bënë KQZ-së, ku u pritën nga kryetarja Nesrin Lushta. Presidenti Sejdiu shprehu optimizmin e tij se KQZ-ja do të dëshmojë përkushtimin më të madh për përgatitjen e këtyre zgjedhjeve në mënyrën sa më të mirë të mundshme, për të pasur një proces zgjedhor korrekt. "Besojmë se këtë proces, që është sfida më e madhe e rëndësishme në proceset demokratike të vendit pas pavarësimit, do ta kapërcejmë si duhet", u shpreh Sejdiu, i cili si sfidë të këtij procesi zgjedhor përmendi pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje dhe çështjen e rakordimit të listave të votuesve.

Pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje, sipas tij, nuk është vetëm punë e KQZ-së, por më shumë e partive politike dhe institucioneve të vendit, që të thërrasin qytetarët të dalin në zgjedhje. Po ashtu, siç tha Presidenti, është e rëndësishme që në zgjedhje të marrin pjesë edhe komunitetet e tjera, në veçanti komuniteti serb. Sejdiu, duke uruar që 16 nëntori të jetë ditë e vlerësimeve të mira për Kosovën, falënderoi SHBA-në, USAID-in dhe ambasadorin Dell, për mbështetjen e veçantë dhënë këtij procesi dhe mekanizmat e tjerë, të cilët do të jenë në Kosovë për të mbështetur procesin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›