E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdiu dhe Thaçi vizitojnë Policinë e Kosovës 2010, rriten pagat e policëve

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi vizituan të enjten Policinë e Kosovës dhe i kërkuan këtij institucioni që të zbatojë ligjin, ndërsa premtuan rritje të pagave për policët kosovarë. Kryeministri Thaçi paralajmëroi se që nga fillimi i vitit të ardhshëm do të ketë rritje të pagave për policët kosovarë. "Unë nuk dëshiroj të flas me ditë dhe data, por është zotimi i përbashkët i të gjitha institucioneve të Kosovës për sistemin e ri të pagave, për përmirësimin e bazës materiale dhe kjo do të ndodhë me gjasë në fillim të vitit të ardhshëm", u shpreh Thaçi, i cituar nga "KosovaLive". Kurse Presidenti i vendit kërkoi nga policia zbardhjen e vjedhjes së rëndë që ka ndodhur para gjashtë muajve në dhomën e dëshmive. Sejdiu tha se Policia e Kosovës është në shërbim të vendit dhe nuk mund të identifikohet me rrjedha politike. "Është e karakterit multietnik me strukturën që ka dhe është një polici që do të bashkëpunojë në mënyrën më të mirë të mundshme me partnerët që i kemi, në këtë rast edhe me EULEX-in dhe me vendet fqinje në parandalimin e krimit të organizuar e formave të tjera që kanë për qëllim rrënimin e stabilitetit të vendit", vlerësoi Sejdiu. Drejtori i Policisë, Sheremet Ahmeti, nuk është pajtuar me pohimet që i kanë vlerësuar si spektakël arrestimet e zyrtarëve të policisë në rajonin e lindjes të dyshuar për kryerje të veprës penale, marrje ryshfeti. Ai theksoi se kurdo që dëshmohet se keqpërdoret detyra zyrtare, policët do të arrestohen, pa marrë parasysh gradën apo pozitën e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›