Topi: Ligjet për gjyqësorin, peng të politikës
Presidenti i Republikës ripërsëriti apelin ndaj partive politike për bashkëpunim dhe dialog, si e vetmja rrugë për të realizuar reformat në sistemin e drejtësisë, aq të kërkuara edhe nga Bashkimi Europian. Kreu i shtetit mori pjesë dje në hapjen e konferencës për sistemin e drejtësisë të organizuar nga EURALIUS për të përçuar mesazhin e bashkëpunimit, si detyrim ndaj vendit dhe detyrim ndaj zgjedhësve për dy forcat politike kryesore në vend. "Dihet qartë se vetëm bashkëpunimi mes forcave politike do të realizojë ligjet për gjyqësorin. Nuk dëshiroj t‘u rikthehem apeleve frekuente që kam bërë. Nuk dua ta teproj në këtë sens, sepse janë vetë forcat politike që dalin para publikut dhe një herë në 4 vjet votëbesohen nga publiku. Është një ballafaqim i forcave politike me publikun edhe në funksion të reformave të drejtësisë. Por e vërteta është se reforma në drejtësi në disa raste ecën me intensitet, në disa raste ndërpritet. Ka raste kur politika bie dakord brenda 24 orësh për ndryshime shumë të rëndësishme, të cilat mund të konsiderohen të karakterit akut dhe me interesa të veçanta, ndërsa reforma në gjyqësor kërkon patjetër bashkëpunim të pandërprerë. Edhe një herë bëj thirrje për të gjitha partitë politike që të rikthejnë në vëmendje këtë proces të rëndësishëm, i cili nuk kërkon fjalë, por kohezion politik, profesionalizëm, monitorim", tha Presidenti Bamir Topi, duke u ndalur më pas në sistemin gjyqësor. Topi vlerësoi se ndonëse janë bërë hapa para, ka ende shumë probleme në pavarësinë e gjyqësorit, duke kërkuar transparencë ekstreme në emërimin e gjyqtarëve. "Disa gjyqtarë e kërkojnë karrierën në rrugë jo të ndershme. Disa gjyqtarë kërkojnë të jenë protagonistë në linja sekondare, jo nëpërmjet ballafaqimit me përmbajtjen e profesionit të tyre. Procesi i emërimit të gjyqtarëve duhet të jetë ekstremisht transparent. Që të gjithë të jenë pjesë e një konkurrence të lirë ku të vlerësohen CV-të e secilit gjyqtar", tha Presidenti. Ndërkohë, ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, i pranishëm në konferencën mbi sistemin gjyqësor, ritheksoi shqetësimin e Bashkimit Europian mbi përpjekjet e ekzekutivit për të ndërhyrë në pavarësinë e gjyqësorit. Me tone të ashpra është shprehur edhe kryeprokurorja Ina Rama ndaj gjyqësorit. "Më problematikja është që ndërkohë që ne kemi mundësi të hetojmë prokurorët, nuk kemi mundësi të hetojmë gjyqtarët sepse ata kanë imunitet sipas Kushtetutës. Në momentin që zyra e prokurorit të përgjithshëm kërkon të merret autorizimi për procedim penal ndaj gjyqtarit, dhe flasim këtu përgjithësisht për vepra me natyrë korruptive, në këtë moment, hetimi është bërë publik dhe është e pamundur të hetosh në mënyrë publike një aferë korruptive. Është e pamundur të hetosh një gjyqtar për korrupsion kur gjyqtari e di që po hetohet për korrupsion", theksoi ajo.