Mashtruan tatimet, ngelen në arrest shtëpie
Gjykata e Tiranës ka lënë në masën "arrest shtëpie" tre ekspertët kontabël të akuzuar nga prokuroria për "falsifikim dokumentesh", duke përfituar shuma të majme nga dega e tatim-taksave. Vendimi u mor dje nga gjyqtarja Rezarta Vigani, e cila ka pranuar masën e sigurisë të kërkuar nga prokurori Julian Xhengo. Sipas burimeve brenda gjykatës, Marjana Palla, Ajeta Shkëmbi dhe Nevila Bami u paraqitën në gjykatë për t‘u njohur me masën e sigurisë dhe për të dhënë shpjegime për akuzën. Ndërkohë, prokuroria thotë se ekspertët kontabël kanë abuzuar me fondet, duke krijuar një firmë e cila nuk kishte asnjë lloj aktiviteti, por me letra funksiononte normal. Firma me të cilën merreshin paratë nga buxheti i shtetit ishte me seli në Elbasan. Emri i shoqërisë është "Klodi" dhe funksiononte vetëm me letra. Drejtuesit e shoqërisë pa aktivitet plotësonin formularë dhe i paraqisnin në zyrat e tatim-taksave për të marrë vlerën e shtuar mbi TVSH-në. Shuma e fituar është rreth 1.5 miliardë lekë të vjetra. Ndërkohë që asnjë prej të akuzuarve nuk e ka pranuar akuzën. Gjykata ka marrë edhe masën e arrestit shtëpiak për bashkëshorten e Kosta Trebickës. Brunela Trebicka dyshohet se ka kryer të njëjtat abuzime dhe falsifikime. Prokuroria ka dyshime se ajo është në SHBA dhe do t‘i komunikohet masa e sigurisë menjëherë sapo të mbërrijë në atdhe.
S.Ç.
S.Ç.