Vriten nënë e bir për një dele, arrestohet vrasësi 46-vjeçar
LEZHË – Nënë e bir kanë shkuar për tu zënë me bashkëfshatarin e tyre, pasi dyshonin se ai iu kishte vjedhur delen, por ky i fundit, iu është përgjigjur me plumba, duke i lënë të vdekur para derës së shtëpisë. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë, rreth orës 21.30, në fshatin “Gryka e Zezë”, rreth 6 kilometra larg qytetit të Lezhës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë mbetur të vdekur shtetasit Mrika dhe Nikolin Matrizi, nënë e bir, përkatësisht 50 vjeçe dhe 20 vjeç. Sipas zëdhënëses, Liona Nika, autori i dyshuar është bashkëfshatari i tyre, shtetasi Pashk Ndreça, 46 vjeç. Burimet policore bëjnë të ditur se vrasja ka ndodhur në banesën e autorit të krimit. Nga informacionet e siguruara mbrëmë për gazetën, 46-vjeçari Ndreca është arrestuar menjëherë pas krimit nga forcat e policisë. Sipas dëshmive në lidhje me ngjarjen, Mrika dhe Nikolin Matrizi janë paraqitur mbrëmë, rreth orës 21.00 në shtëpinë e bashkëfshatarit të tyre. Ata kanë nisur të debatojnë me Ndrecën për humbjen e një deleje. Debati është acaruar ndjeshëm mes dy palëve, dhe dyshohet se në momente tensioni, shtetasi Pashk Ndreca ka marrë armën automatike, tip “kallashnikov” dhe ka qëlluar ndaj tyre, duke i lënë të vrarë në oborrin e shtëpisë së tij. Menjëherë pas ngjarjes, autori i vrasjes nuk ka tentuar të largohet nga banesa. Brenda 20 minutash, një furgon me policë të grupit të gatshëm është shfaqur në banesën e Pashk Ndrecës, e cila ndodhet në fshatin “Gryka e Zezë”, në lagjen Gjashë, fare pranë qytetit të Lezhës. Sipas të dhënave të para, policia gjeti dhe sekuestroi armën e krimit. Në orët e vona të mbrëmjes i dyshuari kryesor për vrasjen e dyfishtë është marrë në pyetje nga policia. Materialet në ngarkim të tij për veprën penale të “vrasjes” pritet ti kalojnë për hetim Prokurorisë së Rrethit të Lezhës.
17 Korrik 2008