Kooperacioni Italian në Shqipëri financon një projekt të ri për SME-të
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, Genc Ruli dhe Ambasadori italian në Shqipëri, Saba d’Elia, inauguruan dje zyrat e reja në ambjentet e METE-s, që do të jenë dhe qëndra e projektit të ri për Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme, të cilat u ristrukturuan në kuadër të Programit Mbështetje për Ministrinë e Ekonomisë, me një financim në forme grant-i prej 50.000.000 Euro, nga qeveria Italiane. Burime nga Ambasada Italiane në Tiranë, bënë të ditur se, Ministri Ruli, në fjalën e tij, falenderoi Qeverine Italiane për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin e dhënë për fuqizimin dhe përmirësimin e aktiviteteve të Administratës Publike si dhe vlerësoi bashkepunimin që ekziston me Kooperacionin Italian për Zhvillim, që do të konkretizohet së shpejti me projekte të mëtejshme në sektorin e energjisë dhe zhvillimin e sektorit privat. Ndërsa Ambasadori D’Elia, nënvizoi rolin e Kooperacionit Italian, në fushën e procesit të reformave dhe sistemit institucional shqiptar, për ta përshtatur me kriteret dhe standartet komunitare.
Krijimi i PMU-së, përfshihet në një program të financuar nga Kooperacioni Italian dhe që parashikon krijimin e një linje krediti në favor të Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme shqiptare.
Qeveria vendos rregulla të reja për tregtimin e naftës dhe gazit
Në kuadër të politikave për përmirësimin e tregut të hidrokarbureve dhe furnizimit të konsumatorëve të shumtë me naftë dhe gaz në mënyrë korekte, qeveria ka vendosur një mori rregullash të reja. Në bazë të tyre do të bëhen përcaktime të reja për format se si do të tregëtohen në vend hidrokarburet dhe lëndët e tjera që kanë lidhje me to. Po kështu do të ndryshojë edhe përcaktimi dhe vendosja e pikave të tregëtimit të naftës dhe gazit në të gjithë vendin, si dhe institucionet që kontrollonin këtë aktivitet. Nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është paraqitur në qeveri një draft, i cili parashikon ndërhyrje në sektorin e gazit natyror. Ky draft pritet të shërbejë si një kuadër-rregullator që shpreh politikën e qeverisë për sektorin e gazit natyror, e cila do të ketë synim krijimin e një tregu të brendshëm për gazin natyror, bazuar mbi rolin rregullator të shtetit, në furnizim dhe shpërndarjen, heqjen e barrierave për krijimin e ndërmarrjeve të gazit dhe furnizimin ndërkufitar me gaz, si dhe krijimin e kushteve të njëjta për konkurrencë të mirë. Aktualisht nuk ka bazë ligjore që rregullon veprimtarinë e pikave të karburantit dhe dëmet që mund të lindin si rrjedhojë e veprimtarisë së tyre. Hartimi i ligjit të ri për sigurim të detyrueshëm të pikave të karburantit është i nevojshëm për shkak të rreziqeve që lindin nga veprimtaria e tyre. Veprimtaria e biznesit ndikon në sigurinë dhe shëndetin e banorëve që jetojnë në afërsi të këtyre lloj biznesesh dhe dëmi që mund t’i shkaktohet atyre mund të jetë katastrofik.
17 Korrik 2008