E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përsëritet konkursi për pranimin në Shkollën e Policisë



Luan Kondi

Tiranë – Konkurrimi për pranimin në Shkollën e Policisë, për t’u bërë pjesëtar i “Patrullës së Përgjithshme”, do të përsëritet. Madje, me këtë rast Drejtoria e Përgjithshme e Policisë njofton se do t’u jepet edhe një shans personave që nuk patën mundësi të regjistroheshin pasi afati i fundit për ta ishte 30 qershori.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ritestimi me shkrim do të bëhet më 8 gusht në orën 07:00, në ambientet e Pallatit të Kongreseve.
Riaplikimi
Për të thithur edhe njëherë aplikues ftohen të paraqesin kërkesën e tyre edhe ata që janë të interesuar, që nuk kanë mundur të aplikojnë për të vazhduar konkurrimin për “Patrullën e Përgjithshme”, janë të ftuar të aplikojnë nga data 17-30 korrik 2008, pranë Drejtorive të Policisë në Qark. Madje ata kujtohen se për tu regjistruar përveç diplomës së shkollës së mesme duhen te paraqesin edhe; formulari i plotësuar i aplikimit, të përcaktuar nga struktura qendrore e personelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, fotokopja e pasaportës ose certifikata e lindjeje me fotografi, dëshmia e penalitetit dhe fotokopje e dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B. Kuota e pranimit në Shkollën e Policisë do të jetë 150 persona.
Personat që kanë qenë të regjistruar më parë duhet të paraqiten në Drejtoritë e Policive në Qarqe për të marrë fletën e pranimit bashkëlidhur me fotografi. 5 kandidatët fitues të testit të zhvilluar në datën 10 korrik 2008 nuk do ti nënshtrohen testimit me shkrim, pasi janë direkt të kualifikuar dhe do të paraqiten vetëm në fazën tjetër të konkurrimit, në testin fizik.
Testi
Kandidatët duhet të paraqiten atje rreth orës 07:00 të datës 8 gusht dhe duhet të kenë me vete fletën e pranimit në testin me shkrim, dokument i cili u është dhënë në momentin e regjistrimit nga zyrat e personelit të Drejtorive të Policisë në Qarqe. Po ashtu kandidatët duhet të paraqiten në Drejtoritë e Policisë në Qarqe, ku kanë bërë regjistrimin për të marrë Kodin e Aplikimit, i cili do të përdoret si numër identifikimi gjatë konkursit. Listat me kodin e aplikimit do të afishohen pranë të gjitha drejtorive të policisë. Testi do të jetë i ndërtuar kryesisht në formën e pyetjeve me përgjigje alternative. Korrigjimi i testit do të realizohet me skaner, duke mundësuar përcaktimin e kandidatëve fitues brenda ditës në prezencë të kandidatëve. Kandidatët e interesuar listën e plotë të konkurrentëve mund ta gjejnë dhe në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme. Në këtë listë do të gjendet dhe Kodi i Aplikimit, i cili do t’i bëhet i ditur çdo aplikanti.

Procedurat
Aplikantët e përzgjedhur për të vazhduar procesin e pranimit i nënshtrohen procedurës së testimit me shkrim, testit të aftësive fizike, intervistës me gojë, kontrollit mjekësor, marrjes së shenjave të gishtave, kontrollit psikologjik, verifikimit të të dhënave të tij. Çdo përbërës i serisë së Testit të Përgatitjes Fizike (STPF) mat një aspekt të ndryshëm të përgatitjes fizike, që përcakton aftësinë e policit për të kryer detyra thelbësore në punën e vet. Për të kaluar STPF-në, pjesëmarrësi duhet të arrijë të paktën 10 pikë në çdonjërin prej testeve të STPF-së. Nëse rezultatet janë nën nivelin e kërkuar prej 10 pikësh për çdo test, atëherë ato janë nën standardet e kërkuara dhe për pasojë pjesëmarrësi ngel në STPF. Maksimumi i mundshëm për çdo test është 20 pikë me një total të mundshëm prej 100 pikësh në të gjithë STPF-në. Elementët e Testit fizik janë kërcim vertikal, ushtrime për barkun një minutë, maksimumi i mundshëm pompash, vrap 300 metra dhe ecje/kros 2. 4 km. Janë gjashtë vlerësime për testin fizik, shkëlqyeshëm, shumë mirë, mirë, mesatare, minimale dhe dobët. Pas kësaj kandidati do t’i nënshtrohet intervistës me gojë ku testohen aftësitë e tij për të komunikuar qartë, shprehur ide dhe koncepte, si dhe për të analizuar dhe marrë vendime. Më pas kandidati i nënshtrohet kontrollit mjekësor, marrjes së shenjave të gishtave, kontrolli psikologjik dhe verifikimi i aplikantit. Pëe personat që testohen përcaktohen edhe kriteret kur ata nuk mund të skualifikohen. Në fakt nëse kandidati nuk kalon testin me shkrim, fizik; kontrollin shëndetësor dhe psikologjik, ka qenë i dënuar më parë për kryerjen e një vepre penale, ka pranuar se ka kryer më parë vepër penale, ka deklaruar të dhëna të rreme apo ka paraqitur dokumente të falsifikuara që kanë për qëllim të rrisin mundësitë për punësim të aplikantitdhe të tjera ai nuk kualifikohet.

17 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›