E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria fa” interesat e kredive të marra në bankat shtetërore para vitit 1998



Ervin Koçi

Qeveria shqiptare ka gati edhe amnistinë financiare për të gjithë kredimarrësit në bankat shtetërore përpara vitit 1998. Lidhur me këtë çështje Këshilli i Ministrave miratoi dje disa ndryshime në ligjin për trajtimin e kredive të transferuara nga bankat e nivelit të dytë, me kapital tërësisht shtetëror, në Agjencinë e Trajtimit të Kredive. Në këto ndryshime përfshihen dhe kriteret dhe kushtet për ndryshimin e marrëveshjes së kredisë si dhe procedurat e marrjes në pronësi të pasurive të lëna si garanci ose jo nga huamarrësit, të administrimit, shitjes dhe dhënies me qira të këtyre pasurive. Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, Agjencia e Trajtimit të Kredive, nëpërmjet ndryshimit të marrëveshjes së kredisë me debitorin, ka të drejtë të ristrukturojë njërën prej kushteve të parashikuara në këtë marrëveshje. Këtij vendimi i nënshtrohen të gjitha pasuritë e lëna si garanci ose jo nga debitorët e Agjencisë së Trajtimit të Kredive, të cilat kalojnë në pronësi të saj, si pronë shtetërore, pasi nuk janë shitur në ankandet e zhvilluara nga përmbaruesi gjyqësor, në zbatim të procedurave ligjore për ekzekutim të detyrueshëm.

Proçesi i faljes

Me “falje”, sipas drejtuesve të ATK-së, do të kuptohet mbledhja e principalit të kredive të marra, duke mos përfshirë interesat e krijuara në vite, apo edhe detyrimet që janë shtuar me kalimin e kohës. Agjencia e Trajtimit të Kredive do të falë vetëm interesat dhe gjobat për kreditë e pashlyera deri tani. Bëhet fjalë për më shumë se 13.449 kreditorë të regjistruar dhe të identifikuar nga kjo agjenci, të cilët kanë marrë kredi, por nuk i kanë shlyer detyrimet. Detyrimi në principal i këtyre kredive është 11.236.261.000 lekë, ndërsa me gjithë detyrimet shtesë kjo shifër shkon në rreth 36 miliardë lekë. Që prej vitit 1998, kohë kur ka filluar të funksionojë kjo agjenci, ajo është ndeshur me shumë vështirësi në evidentimin e të gjithë debitorëve, për shkak të mungesës së dokumentacionit të rregullt, apo migrimit të debitorëve nga vendi i origjinës, si dhe emigrimit jashtë shtetit. Në ekzekutimin e vendimeve për arkëtimin e parave në llogari të Agjencisë, një pengesë janë edhe hipotekat apo zyrat e përmbarimit, të cilat duhet të jenë më të shpejta. Sipas të dhënave të kësaj agjencie, janë mbledhur rreth 6,6 miliardë lekë, ndërsa rreth 6 milionë dollarë mblidhen çdo vit. Aktualisht, hua ose kredi të dhëna nga bankat ish-shtetërore të nivelit të dytë dhe të transferuara në Agjencinë e Trajtimit të Kredive rezultojnë të jenë dhënë për 13.449 individë gjithsej.

Detyrimet

Detyrimi i transferuar në principal, që nga 1998, kur janë bërë dy transferime nga bankat ish-shtetërore për llogari të Agjencisë së Trajtimit të Kredive rezulton të jetë 11.236.261.000 lekë. Këta huamarrës ose debitorë janë të ndarë edhe sipas objektit. Kështu nga këto janë 222 huamarrës për linja prodhimi, nëse i ndajmë sipas objektit, shifër e cila zë rreth 2 për qind të totalit të portofolit të kredive. Ndërsa për prodhim materialesh ndërtimi rezulton të jenë 749 debitorë, ose 5,6 për qind e portofolit të kredive. Pjesën tjetër, rreth 93,4 për qind e zënë kreditë për biznes, për agregate makinerish bujqësore etj. Sipas të dhënave të Agjencisë, rezulton se për nga portofoli janë 8954 debitorë që kanë marrë kredi deri në 500 mijë lekë. Nga 500 mijë lekë deri në 1 milion lekë janë të regjistruar 1703 debitorë, nga 1 milion lekë deri në 2 milionë lekë janë regjistruar 1915 debitorë dhe me mbi 2 milionë lekë, janë 877 debitorë në regjistrat e agjencisë. Përfitojnë nga lehtësitë e parashikuara në këtë vendim debitorët, të cilët paraqiten deri më 30 prill 2009 në zyrat e Agjencisë së Trajtimit të Kredive, për të nënshkruar kushtet e reja.

Shteti mund të lëshojë me qera pronat e vëna në garanci nga debitorët

Të gjitha pasuritë e lëna si garanci ose jo nga debitorët e Agjencisë së Trajtimit të Kredive, të cilat kalojnë në pronësi të saj si pronë shtetërore, mund të shiten ose lihen me qera. Kjo gjë bëhet pasi këto prona nuk janë shitur në ankandet e zhvilluara nga përmbaruesi gjyqësor, në zbatim të procedurave ligjore për ekzekutim të detyrueshëm. Marrja në pronësi e pasurive të lëna nga debitorët, bëhet me pëlqimin e ATK-së, si palë kreditore, kundrejt vlerës së ankandit të fundit, të zhvilluar nga përmbaruesi gjyqësor. ATK-ja e kontabilizon pronën me vlerën e parashikuar nga përmbaruesi gjyqësor në aktin e transferimit. Pas kontabilizimit të pronës, ATK-ja, kundrejt shlyerjes së detyrimit, i propozon debitorit kthimin e sendit të marrë në pronësi. Debitori duhet të kthejë përgjigje brenda 30 ditëve nga data e njoftimit. Pas kalimit të këtij afati, ATK-ja përgatit dosjen për shitjen me ankand. Procedurat e ankandit organizohen nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronës Shtetërore, pranë Ministrisë së Financave. Si vlerë e pronës, që do të shitet me ankand, do të llogaritet vlera e kontabilizuar nga ATK-ja. Ndarja e të ardhurave nga shitja e këtyre pronave, pavarësisht nga lloji, është 25 për qind për ATK-në dhe 75 për qind për Buxhetin e Shtetit. Shuma e përgjithshme, e realizuar nga shitja me ankand e pronës, vlerësohet nga ATK-ja, për efekt të deklarimit të realizimit të të ardhurave.

Kushtet që duhen plotësuar për zëvendësimin e kolateralit dhe ekzekutimin e detyrueshëm

Debitori ka të drejtë të kërkojë ristrukturimin e detyrimit, sipas lehtësive të parashikuara në këtë vendim, vetëm një herë. Në rast se debitori nuk u përmbahet kushteve të marrëveshjes së lidhur, kërkohet likuidimi në rrugë ligjore i detyrimit të kontabilizuar në ATK-ë. Zëvendësimi i kolateralit apo debitorit me një pasuri a person tjetër, përveç detyrimeve të parashikuara në Kodin Civil dhe ligjin, që rregullon regjistrimin e pasurive të paluajtshme, realizohet: a) kur vlera e pasurisë së re, mbi të cilën do të vendoset barra hipotekore, është më e lartë se vlera e pasurisë ekzistuese, të ngarkuar me barrë hipotekore. b) kur debitori, përpara miratimit për zëvendësimin e kolateralit, arkëton të paktën 20 për qind të detyrimit të transferuar; c) kur debitori, para fillimit të procedurave për lidhjen e marrëveshjes përkatëse të ristrukturimit, ka likuiduar jo më pak se 40 për qind të detyrimit të transferuar. Çdo debitor, për të cilin ka dalë vendim gjykate, “Për lëshim urdhër ekzekutimi”, pavarësisht nëse është dërguar ose jo për ekzekutim të detyrueshëm në zyrën e përmbarimit, përfiton lehtësitë e këtij vendimi vetëm nëse ka parapaguar një vlerë jo më të vogël se 7 për qind të detyrimit të përcaktuar në urdhrin e ekzekutimit. Kur debitori ka vazhduar të shlyejë vlera monetare pas daljes së urdhrit të ekzekutimit, këto vlera zbriten nga detyrimi i ri financiar, që ka huamarrësi, sipas kontratës së ristrukturuar.

Të dhëna

Deri më 30 prill të këtij viti janë 13.449 debitorë

Detyrimi i tyre është 11.236.261.000 lekë

222 huamarrës janë për linja prodhimi ose 2% e totalit të portofolit të kredive

749 debitorë, ose 5,6 % e portofolit janë për prodhim materialesh ndërtimi

Rreth 93,4 % e zënë kreditë për biznes, apo agregate makinerish bujqësore

8954 debitorë kanë marrë kredi deri në 500 mijë lekë

Me nga 500 mijë -1 milion lekë, janë 1703 debitorë

Me nga 1 milion-2 milionë lekë, janë 1915 debitorë

Me mbi 2 milionë lekë, janë 877 debitorë

1800 debitorë janë transferuar nga zonat e origjinës

70 % e tyre aktualisht jetojnë në Tiranë dhe Durrës

10 % jetojnë në qytete të tjera si Vlora dhe Fieri

Për mbi 1200 debitorë u janë rigjetur adresat

600 debitorëve nuk u dihet adresa ose janë larguar jashtë shtetit

17 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›