E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kursantët e automjeteve, tani deri në pesë prova për të marrë patentën



Habjon Hasani

Zgjatet afati dhe mundësitë për të siguruar një patentë për automjetet rrugore. Qeveria ka miratuar dje disa ndryshime në ligjin përkatës, ku kursantëve aplikantë për marrjen e patentës u janë shtuar dhe dy mundësi më shumë gjatë testimit të patentës. “Meqenëse personat e interesuar për t’u pajisur me lejedrejtimi për automjetet rrugore, kishin të drejtë për të hyrë në prova deri në tre herë, me ligjin e ri kjo mundësi është rritur deri në pesë herë”, -shkruan ministri Sokol Olldashi në relacionin përkatës. Ndërkohë që duket se janë shtrënguar dhe masat e kontrollit të Ministrisë së Transporteve ndaj subjekteve të licencuara për dhënien e patentave. Ky projektligj i detyron ata që të dokumentojnë një praktikë të veçantë me të dhënat e aplikantit dhe në këtë praktikë do të shënohen të gjitha të dhënat dhe rezultatet e kursantit gjatë periudhës së testimit. “Dokumentacioni i paraqitur nga autoshkolla për provën e verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes së personit të interesuar është në përputhje me kërkesat e Kodit Rrugor. Kur dokumentacioni nuk është i plotë i kthehet autoshkollës për të bërë plotësimet e nevojshme brenda pesë ditësh”, - përcakton ligji i ri.
Automjetet
Një ripërcaktim i është bërë edhe automjeteve që do të duhet të përdoren nga autoshkollat për testimin e kursantëve. “Automjetet duhet të jenë të pajisura me pedale të dyfishta (gaz, freksion, frena) që përdoren nga vendi, ku qëndron instruktori dhe në mes të instruktorit dhe drejtuesit të mjetit nuk duhet të ketë pengesa që mund të vështirësojnë ndërhyrjen e instruktorit”, - shkruhet në projektligj. Vëmendje i është kushtuar edhe gjendjes teknike por edhe pamjes së automjetit duk i lënë të drejtën inspektorëve të ministrisë dhe atyre të policisë rrugore, të bllokojnë automjetet që nuk i plotësojnë këto kushte. Rreth një vit më parë Ministria e Transporteve ndryshoi përmbajtjen e testit teorik. Në testin e ri ka ndryshuar mënyra e formulimit të pyetjeve, por ajo çka është më e rëndësishme është ndryshimi i raportit të pyetjeve teknike dhe atyre që i përkasin sinjalistikës rrugore. Ndryshe nga më parë, pyetjet teknike për automjetet zënë një hapësirë mjaft të vogël në test, ndërkohë e kundërta ka ndodhur me pyetjet që i përkasin sinjalistikës rrugore.
Testi
Sipas udhëzimit të ri të ministrisë, një individ mund të shpallet fitues në test kur nga 40 pyetje që ka testi realizon jo më pak se 33 përgjigje korrekte ose jo më shumë se 7 gabime. Kjo do të thotë që individi ka përvetësuar më shumë se 85 % të programit teorik të përgatitjes në autoshkollë dhe është në gjendje të njohë me korrektësi sinjalistikën rrugore, rregullat e qarkullimit në rrugë, normat e sjelljes në rrugë, si dhe elementë të tjerë bashkëkohorë. Për të aplikuar për marrjen e patentës më parë duhen të dorëzohen disa dokumente. Konkretisht certifikatë lindje me fotografi, vërtetimin e banimit të lëshuar nga organet e pushtetit vendor, certifikatë mjekësore me fotografi, të lëshuar me datë jo më përpara se 3 (tre) muaj, nga data e paraqitjes së kërkesës, për të dalë në prova për herë të parë, vërtetim nga gjykata e rrethit që nuk është në proces gjyqësor si edhe disa dokumente të tjerë.

17 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›