Bllokohet qarkullimi në aksin Vlorë-Selenicë
Në vendin e emërtuar, “Bishti i Malit”, 25 km në lindje të Vlorës, ujërat kanë mbuluar plotësisht një segment prej rreth 1 km duke e bërë atë të pakalueshëm nga mjetet e vogla. Krahas kësaj, ujrat kanë përmbytur edhe rreth 200 hektarë tokë në këtë zonë deri në afërsi të Selenicës, e cila është e mbjellë më kultura të ndryshme bujqësore, kryesisht grurë. Gjithashtu, ujërat e lumit Vjosë kanë mbuluar edhe stacionin e pompave të ujit të pijshëm, duke e nxjerrë atë jashtë funksioni. Për të furnizuar popullsinë me ujë të pijshëm po shfrytëzohen autobotët. Gjendja në afërsi të Selenicës, u rëndua pasditen e të dielës, kur ujërat e lumit Vjosë që kalon 4 km pranë qytetit, dolën nga shtrati si pasojë e rreshjeve të shumta të shiut në zonën e basenit ujëmbledhës, duke përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore.