Bllokohet qyteti një orë
SARANDE - Reshjet e shiut që ranë në harkun kohor të 90 minutave shkaktuan përmbytje edhe në qytetin e Sarandës. Shiu i shoqëruar me erë të fortë bëri që të thyhen disa pemë, ndërsa energjia elektrike u ndërpre për më shumë se një orë. Reshjet e shiut nisën dje rreth orës 12:00 dhe vazhduan disa minuta pas orës 13:00. Si pasojë u përmbytën katet e para të pallateve dhe u paralizua qarkullimi për gati një orë i mjeteve, apo edhe këmbësorëve. E njëjta situatë, por që është shënuar me një përmbytje më të madhe dhe bllokim trafiku, është regjistruar në qytetin e Delvinës. Në të dyja rastet, burime nga shërbimet përkatëse bënë të ditur se, shkak është bërë bllokimi i kanalizimeve. Punonjësit e ndërmarrjes së shërbimeve punuan për disa orë që situata të normalizohet, dhe të hapeshin rrugët që për kalimtarët, por edhe për mjetet ishin thuajse të pakalueshme. sh.d